SHKUP - Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi i pyetur sot nga gazetarët lidhur me deklarimet e kryeministrit Rama sot në Tiranë se "shpreh shqetësimet për shqiptarët në Maqedoni" deklaroi se "shpreson tek kryeministri i ri shqiptar për politikat dhe prioritetet e tij për Shqipërinë, por edhe për të gjithë shqiptarët". 

Ai këtë e theksoi pas një takimi që zhvilloi sot në Tetovë me raportuesit e BE-së për Ballkanin, Jonas Johnson, dhe Terkel Peterson. 

“Unë kam thanë edhe më përpara; kam shumë shpresa te Kryeministri Rama, jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë shqiptarët. Kam njohuri të thella të aspekteve të tij intelektuale, qasjeve që i ka patriotike, por nuk dua ta vendos në pozitë të vështirë zotin Rama. Kam shumë shpresa të mëdha se ai me diturinë dhe mprehtësinë e vet që ka, do të arrijë që përpara ndërkombëtarëve 'ti bëjë më lehtësisht të pranueshme kërkesat tona”, theksoi Thaçi pas takimit.

Ai shtoi se sot ka qenë një takim i rëndësishëm me dy raportuesit e Bashkimit Evropian lidhur me zhvillimet në Ballkanin Perëndimor dhe Maqedoninë. 

“Biseduam edhe për pritshmërisë e gjashtëmujorit të ardhshëm siç është edhe Raport progresi që duhet t'i vijë Maqedonisë, zgjedhjet lokale në Serbi, mundësinë e marrjes së statusit kandidat nga ana e Shqipërisë,  Marrëveshja  për stabilizim asocimit që duhet të nënshkruajë Kosova dhe startin e bisedimeve të Serbisë. Konstatuam bashkërisht një fenomen tepër pozitiv; i gjithë rajoni po lëviz përpara. Por po ashtu konstatuam bashkërisht edhe një fenomen brengosës, të gjithë lëvizin përpara, Maqedonia po shkon prapa”, theksoi Thaçi, duke shtuar se PDSH nuk është pengesë e procesit të euro-integrimeve.

Marrë nga INA

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)