Zohran Mamdani nuk ka autoritet ligjor për të arrestuar kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.

Netanyahu është një "kriminel lufte, përgjegjës për një gjenocid të tmerrshëm. Jam dakord me Gjykatën Penale Ndërkombëtare se ai duhet të arrestohet dhe të gjykohet. Administrata ime ka shqyrtuar çdo rrugë të mundshme bazuar në ligjet ekzistuese për të përcaktuar nëse New York mund të zbatojë urdhër-arrestin. Por është e qartë se ne nuk kemi autoritetin ligjor të pavarur për ta zbatuar urdhrin", shpjegoi Mamdani në një video të publikuar në X, duke vënë në dukje megjithatë se qeveria federale ka autoritetin për ta zbatuar.

"Unë kërkoj që ta bëjë këtë. Dua të jem i qartë: Benjamin Netanyahu nuk është i mirëpritur në New York, ashtu siç nuk janë të mirëpritur kriminelët e tjerë të luftës", theksoi ai.

Ditët e fundit, Mamdani kishte përsëritur synimin e tij për të arrestuar Netanyahun, por kishte shpjeguar se po konsultohej me juristët për të përcaktuar nëse kishte apo jo autoritetin për ta bërë këtë.

Ndërsa zëdhënësi i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, António Guterres, tha se organizata do të qëndrojë larg këtij diskutimi.

"Ne nuk do të përfshihemi në debatin mes kryebashkiakut të qytetit tonë pritës dhe presidentit të vendit tonë pritës", tha Stéphane Dujarric kur u pyet për mundësinë e arrestimit të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu gjatë vizitës së tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtator.

I pyetur nëse OKB-ja u jep udhëzime krerëve të shteteve dhe qeverive për lëvizjet e tyre gjatë qëndrimit në New York Dujarric sqaroi kufijtë e përgjegjësive të organizatës:

"Ne nuk u themi personaliteteve që vizitojnë OKB-në se ku duhet të shkojnë apo çfarë duhet të bëjnë jashtë selisë së Kombeve të Bashkuara. Ne jemi përgjegjës për sigurinë e tyre kur ndodhen brenda OKB-së. Pjesa tjetër është çështje koordinimi mes autoriteteve federale, shtetërore dhe atyre të qytetit”, tha ai.

Ambasadori izraelit në Kombet e Bashkuara, Danny Danon, hodhi poshtë mundësinë e një arrestimi, duke thënë se Mamdani "nuk ka asnjë juridiksion" dhe se propozimi i tij është vetëm "veprim për publicitet".

Danon kujtoi se Shtetet e Bashkuara nuk janë pjesë e Gjykatës Penale Ndërkombëtare dhe se marrëveshjet për selinë e OKB-së u garantojnë përfaqësuesve të shteteve anëtare qasje të lirë në ndërtesën e Kombeve të Bashkuara.