PRISHTINE - Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi,  së bashku me ministrin e Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, në kuadër të vizitës zyrtare në SHBA, janë takuar sot në Pentagon me nënsekretaren për Mbrojtje, Evelyn Farkas.

Në takimin me nënsekretaren Farkas është vlerësuar se ky vit do të jetë vendimtar për përfundimin e transformimit të Forcave të Sigurisë në Forcat e Armatosura të Kosovës, theksohet në njoftimin e MPJ-së kosovare të sapodërguar nga Uashingtoni.

Bëhet e ditur se, me këtë rast zëvendëskryeministri Thaçi ka theksuar se i tërë procesi i rishikimit të sektorit të sigurisë sikur dhe transformimi i FSK-së në Forcat e Armatosura të Kosovës është bërë me përkrahjen dhe pajtim të NATO-s dhe SHBA-së.  Për përfundimin e këtij procesi zëvendëskryeministri Thaçi ka marrë mbështetjen e shtetit amerikan.
Nga ana tjetër, nënsekretarja për Mbrojtje, Evelyn Farkas, ka theksuar se Republika e Kosovës do te ketë mbështetjen e plotë të SHBA me prioritet në fushën e sigurisë. "Ky proces gëzon mbështetjen e plotë të SHBA-së", është shprehur Farkas.

Nderkohe, eshte theksuar se hapat e deritanishem të procesit të transformimit të FSK në Forcën e Armatosur të Kosovës, e bëjnë më të sigurt rrugën e saj drejt anëtarësimit në programin e Partneritetit për Paqe si dhe në NATO./ATSH/