PRISHTINE, 12 Shkurt/ATSH/-Zëvendëskryeministri ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, ka pritur në takim pune zëvendës-asistentin e Sekretarit për çështjet Evropiane dhe Euroaziatike në Departamentit e Shtetit të SHBA-së, Hoyt Brian Yee, me të cilin ka biseduar për të arriturat e fundit në Kosovë, për prioritetet e qeverisë së re dhe për sfidat që e presin Kosovën.
Zëvendëskryeministri Thaçi e falënderoi zëvendës-asistentin Yee për mbështetjen e vazhdueshme që SHBA jep për Kosovën, me theks të veçantë në mbështetjen në raundin e fundit të bisedimeve mes Kosovës e Serbisë në të cilën u arrit marrëveshja për gjyqësorin.
Thaçi theksoi se për të mirën e procesit është mirë që të bëhet implementimi i plotë i marrëveshjeve të arritura deri tani. Ai e njoftoi mysafirin edhe për themelimin e qeverisë së re, prioritetet e qeverisë dhe sfidat me të cilat është e gatshme të përballet qeveria, pasi ka stabilitet dhe fuqi politike.
Gjithashtu, zëvendëskryeministri Thaçi kërkoi mbështetjen e SHBA-së edhe për projektet e Kosovës, që këtë vit të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në programin e Partneritetit për Paqe.
Zëvendës-asistenti Yee e përgëzoi zëvendëskryeministrin Thaçi për marrëveshjen për drejtësinë të arritur në raundin e fundit të bisedimeve mes Kosovës e Serbisë dhe e inkurajoi që të vazhdohet me dialogun dhe që palët të qëndrojnë konstruktive në këtë proces.
Në çështjen e dialogut, të dyja palët u pajtuan se duhet të ruhet dinamika e deritashme dhe për këtë duhet të hapen temat që janë afër të përmbyllen. /a.g/










