/ATSH/.- Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, u takua sot në Hagë me ministrin e Punëve të Jashtme të Holandës, Bert Koenders, me të cilin bisedoi për zhvillimet në Kosovë dhe në rajon, si dhe shqyrtuan mundësitë për thellim të bashkëpunimit mes dy shteteve, posaçërisht në fushën ekonomike dhe në integrimet evropiane.
Sipas njoftimit për shtyp të Ministrisë së Jashtme të Kosovës, gjatë takimit Thaçi u shpreh se "Kosova është kthyer në faktor të paqes dhe bashkëpunimit në rajon. I tërë rajoni është kthyer nga e ardhmja euro-atlantike, zhvillimi dhe bashkëpunimi. Në këto momente kthese për rajonin është shumë e rëndësishme që BE-ja të mbetet e përkushtuar ndaj së ardhmes evropiane të tërë rajonit", u shpreh zëvendëskryeministri Thaçi.
Për stabilitet afatgjatë të rajonit kërkohet zhvillim i qëndrueshëm ekonomik dhe për këtë mbështetja e BE-së dhe e vendeve të saj, edhe përmes përvojës së tyre, janë shumë të rëndësishme për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, u tha në këtë takim.
Ndërsa në një postim në rrjetin social Facebook, Thaçi thekson se "ramë dakord se stabiliteti afatgjatë i Ballkanit Perëndimor kërkon zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe se të gjitha vendet e rajonit do të përfitojnë nga përvoja e çmuar e Holandës dhe e shteteve të tjera anëtare të BE-së".
"Takimit me Konders i parapriu pjesëmarrja ime në konferencën ndërkombëtare për Sigurinë në Hapësirën Kibernetike, në Hagë të Holandës, ku isha në mesin e mbi 40 ministrave dhe sekretarëve shtetërorë nga të gjitha kontinentet, duke përfshirë edhe Thorbjorn Jagland nga Këshilli i Evropës, Federica Mogherini nga BE, Carl Bildt, ish-kryeministër dhe ministër i Jashtëm i Suedisë, dhe shumë përfaqësues të tjerë të botës akademike dhe organizatave globale të teknologjisë informative", përfundon Thaçi.