Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, vlerëson se inicializimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit sot në Bruksel është hap vendimtar drejt anëtarësimit në familjen europiane.

"Sot u bë inicializimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Europian, pra u ndërmor një hap vendimtar në rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit në familjen europiane", shprehet ai.

Me këtë marrëveshje, thekson Thaçi, Kosova vulos përcaktimin e saj strategjik për të përqafuar vlerat e Bashkimit Europian si dhe për t'u bërë pjesë e këtij unioni.

"Jemi në fillim të një procesi të integrimit me shumë sfida, mirëpo unë jam i bindur që ne kemi potencialin dhe vullnetin e duhur për t'i përballur me sukses çdo vështirësi. Këtij zhvillimi duhet ti gëzohemi të gjithë sepse sot jemi edhe më afër përmbushjes së aspiratës së popullit tonë për integrim Euro-Atlantik", shkruan kryeministri Thaçi në Facebook.

Në Bruksel sot u bë inicializimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ndërmjet dy kryenegociatorëve,  Gëzim Kasapolli, u.d. ministër i Integrimit Evropian në Qeverinë e Kosovës dhe Jean Erique Paque, drejtor i Ballkanit Perendimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Zgjërimit të Komisionit Evropian./ATSH/