PRISHTINË- "Shteti i Kosovës çdo ditë e më shumë po i forcon praktikat e respektimit të kushtetueshmërisë dhe të ligjshmërisë", u shpreh sot kryeministri Hashim Thaçi.
Sot, vijoi ai, Gjykata Kushtetuese tha fjalën e vet për rrjedhën e seancës konstituive të datës 17 korrik 2014 dhe i hapi rrugë formimit të institucioneve të Kosovës në përputhje me vullnetin e qytetarëve të shprehur në zgjedhjet e 8 qershorit.
"Kosova ka vënë edhe praktikën e pranimit të vendimeve të institucioneve gjegjëse prandaj presim që të gjitha palët do ta pranojnë edhe këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese", shkruan Thaçi në Facebook.
Ai siguron se, Partia Demokratike e Kosovës, si prijëse e proceseve shtetformuese, do të punojë intensivisht që sa më shpejtë të formohen institucionet e reja në Kosovë, në përputhje me mandatin që ka marrë nga qytetarët e Kosovës në zgjedhjet e përgjithshme dhe të fillojë të implementojë "Misonin e Ri" për zhvillimin ekonomik të Kosovës, hapjen e vendeve të reja të punës dhe procesin e pandalshëm të integrimeve evropiane.
"Edhe në mandatin e ardhshëm, fryma e bashkëpunimit dhe e qasjes gjithëpërfshirëse në proceset madhore për vendin tonë, do të jenë bosht i angazhimit dhe filozofisë politike të Partisë Demokratike të Kosovës", përfundon Thaçi./ATSH/