/ATSH-B.Jashari/.- Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Hashim Thaçi, sapo ka përfunduar takimin zyrtar me zv/presidenten e Komisionit Evropian, njëherit edhe shefe e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini.

"Me znj. Mogherini patëm bisedë të ngrohtë dhe të thellë për marrëdhëniet mes Kosovës dhe BE-së. Nënshkrimi i MSA, liberalizimi i vizave, vazhdimi i dialogut me Serbinë dhe reformat ekonomike dhe politike. Znj Mogherini është e dedikuar për suksesin e Kosovës dhe Ballkanit në rrugëtimin europian ndërsa unë e sigurova se do të përfundojmë detyrimet tona karshi partnerëve në BE. Ritheksova se Kosovën e presin shumë sfida por institucionet e Kosovës janë të gatshme të përballohen me to, duke avansuar statusin ndërkombëtar të republikës", bën të ditur Thaçi, pas takimit ku ishte edhe ministri kosovar i Integrimeve, Bekim Çollaku.

Zv/kryeministri e kryediplomati kosovar Thaçi, të parën vizitë si bartës i posteve të reja pas zgjedhjes së qeverisë së re të Kosovës javën e kaluar, e zhvillon në Strasburg, ku dje takoi sekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Europës, Thorbjorn Jagland dhe sot në Bruksel.