/ATSH/.- Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Hashim Thaçi takoi sot kryetarin e Komunës së Shtimes, Naim Ismailin.

Sipas KosovaPress, gjatë takimit Thaçi foli edhe për paralajmërimet e partive opozitare për të organizuar protestën e radhës të merkurën.

Thaçi tha se protestat janë një e drejtë demokratike, ndërkohë që theksoi se, nëse opozita ka argumente politike, ato duhet t'i shpreh në Kuvendin e Kosovës.
"Debati në Kuvendin e Kosovës nuk mund të zëvendësohet as me protesta, as me dhunë, as me shufra metalike. Është koha që të ulemi bashkërisht të debatojmë në Kuvendin e Kosovës për prioritetet që janë në interes të qytetarëve të Kosovës dhe të fokusohemi te krijimi i vendeve të punës dhe zhvillimi ekonomik", tha Thaçi.

I pyetur për deklaratat e politikanëve serb, se ata mund të zëvendësojnë sa herë të duan ministrat në Kosovë, Thaçi tha se është mirë që fokusi mos të jetë në deklaratat e liderëve serb.

Sipas tij, politikanët serb tashmë kanë dëshmuar se humbjet e tyre i festojnë si fitore.