/ATSH/.-Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, me ftesë të homologut të tij gjerman, për dy ditë radhazi do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Berlin.
"Mundësitë e thellimit të bashkëpunimit bilateral për zhvillimin e Kosovës dhe bashkëpunimi rajonal e ndërkombëtar do të jenë temat kryesore të diskutimit ndërmjet zëvendëskryeministrit Thaçi dhe autoriteteve gjermane", theksojnë burimet zyrtare të MPJ-së kosovare në njoftimin e sapodërguar.
Ditën e hënë, në dy komisione të ndryshme, zëvendëskryeministri Thaçi do të takojë një numër të madh të deputeteve të Bundestagut të të gjitha subjekteve politike gjermane. Nga deputetët gjermanë, ai do të kërkojë mbështetje për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Kurse, pas takimit me deputetët e Bundestagut, Thaçi do ta takojë edhe homologun e tij gjerman, Frank-Walter Steinmeier, me të cilin do të diskutojë më hollësisht mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërshtetëror dhe mundësitë e Gjermanisë për mbështetjen e Kosovës, me theks të veçantë për ekonominë dhe politikën e jashtme në arenën ndërkombëtare.
Gjithashtu, pasditën e së hënës, zëvendëskryeministri Thaçi do të mbajë edhe një ligjeratë në Këshillin për Marrëdhënie Ndërkombëtare të Gjermanisë.
"Thellimi i bashkëpunimit me Gjermaninë, veçanërisht për procesin e integrimit evropian dhe për zhvillimin ekonomik është shumë i rëndësishëm për Republikën e Kosovës", thekson MPJ kosovare.