PRISHTINË, 24 Janar/ATSH/.- Vdekja e Mbretit të ndjerë saudit, Abdullah bin Abdulaziz, është duke u shënuar me ceremoni ngushëllimi që kanë përfshirë mbarë botën arabe dhe më gjerë.
Shumë shtete të gjirit Persik si Bahraini, Jordani, por edhe Palestina kanë shpallur ditë zyrtare të zisë, ndërsa në kryeqytetin arab kanë arritur liderë të shumtë botërorë.
Zëvendëspresidenti amerikan Joe Biden kryeson delegacionin e SHBA-së, kryeministri britanik David Cameron gjithashtu është i pranishëm, ndërsa Princi Charles po udhëheq delegacionin e lartë nga Mbretëria e Bashkuar. Pjesë e ceremonisë janë edhe ministrat e jashtëm të shumicës së shteteve evropiane.
Në emër të Kosovës, në Riad po qëndron edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili më parë ka takuar Mbretin Abdullah disa herë në takime bilaterale.
Delegacioni i Kosovës, në këto momente, siç mëson KosovaPress, është pritur nga protokolli mbretëror dhe po bëhet gati për të shkuar për ngushëllime në pallatin e mbretit të Arabisë Saudite.
Arabia Saudite është ndër shtetet e para arabe që ka njohur Kosovën dhe ka lobuar për njohje edhe në shtetet e tjera të Organizatës së Konferencës Islamike./m.m/