Thaçi në Uashington, përkrahje për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare


 
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Kosoves, Hashim Thaçi ka takuar senatorin Ben Cardin
PRISHTINË, 5 Shkurt /ATSH-B.Jashari/.- Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës dhe ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, gjatë vizitës në Uashington, u takua me senatorin Ben Cardin, udhëheqës i Komitetit të Helsinkit në OSBE.
Në njoftimin e MPJ-së kosovare nga Uashingtoni, theksohet se Zëvendëskryeministri Thaçi e ka njoftuar senatorin Cardin për krijimin e qeverisë së re, si dhe angazhimin e saj për transformimin e FSK-së në Forcën e Armatosur të Kosovës.
Zëvendëskryeministri Thaçi dhe senatori Cardin diskutuan edhe për vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe për marrëveshjet e arritura deri tani ndërmjet dy shteteve.
Thaçi e njohu senatorin Cardin edhe për pritjet e shtetit të Kosovës, që nënshkrimi i MSA-së të ndodhë gjatë këtij viti, si dhe procesi i liberalizimit të vizave. Ai shprehu gatishmërinë për të vazhduar procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Nga ana tjetër senatori Cardin ka premtuar se SHBA do të mbështesë fuqishëm Kosovën dhe do të vazhdojë ta ndihmojë rrugëtimin e saj për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. "SHBA-të mbështesin fuqishëm Kosovën dhe do të punojmë ngushtë që Kosova të bëhet pjesë e OSBE-së dhe organizatave tjera ndërkombëtare", theksoi Cardin.
Gjatë qëndrimit në Uashington, zëvendëskryeministri Thaçi është takuar edhe me udhëheqësin e Asamblesë Parlamentare të NATO-së, kongresmenin Mike Turner.
Ky i fundit është njoftuar nga zëvendëskryeministri Thaçi për angazhimin e institucioneve të Kosovës për të përshpejtuar anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe BE.
Zëvendëskryeministri Thaçi është shprehur se perspektiva e Kosovës dhe rajonit është për t'u bërë pjesë e NATO-s dhe BE-së.
"Kosova është duke bërë transformimin e forcave të saj në Forcën e Armatosur të Kosovës dhe fillimisht presim të bëhemi pjesë e Partneritetit për Paqe dhe më vonë për t'u integruar në NATO", ka deklaruar zëvendëskryeministri Thaçi.
Ndërsa ka vlerësuar se ngadalësimi i këtij procesi për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit, mund të fuqizojë rolin e forcave destabilizuese në këtë rajon.
"Sa më i ngadalshëm bëhet procesi për anëtarësimin në NATO dhe zgjerimin e saj në rajon, aq më shumë hapësirë mund të fitojnë forcat destabilizuese në rajonin e Ballkanit", u shpreh zëvendëskryeministri Thaçi.
Ndërsa Turner tha se Kosova është në axhendën e tij të përditshme dhe e ka siguruar zëvendëskryeministrin Thaçi se nuk do të mungojë mbështetja e tij në komitetin të cilin ai e drejton për të përkrahur Kosovën në drejtim të integrimit sa më të shpejtë në strukturat euroatlantike.
Po ashtu kongresmeni Turner shprehur gatishmërinë të vizitojë rajonin dhe Kosovën në një të ardhme të afërt./k.s/

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?