Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, priti sot përfaqësuesit e një delegacioni të lartë dhe më të madh nga Emiratet e Bashkuara Arabe, që po qëndron në Kosovë në një mision për t'u informuar sa më shumë për Kosovën dhe mundësitë për investim dhe bashkëpunim.

Kryeministri Thaçi e falënderoi në emër të qeverisë, si dhe në emër të popullit të Kosovës delegacionin nga EBA për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë popullit të Kosovës, gjatë luftës, pas luftës si dhe tani pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Kryeministri Thaçi e njohu delegacionin për arritjet e Kosovës në sferën e konsolidimit të shtetit si dhe fokusimin e qeverisë në zhvillimin ekonomik të vendit.

Kryesuesi i delegacionit nga Adu Dhabi, Saif Mohamed Al Mazrouei, e lavdëroi bashkëpunimin mes Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe dhe përsëriti gatishmërinë që ky bashkëpunim të zhvillohet edhe më tutje, tash në sferën e ekonomisë dhe investimeve.

Kryeministri Thaçi e ftoi delegacionin që në takimet me përfaqësuesit e qeverisë së Kosovës të zbulojnë sferat ku mund të investohet dhe nga të cilat mund të përfitojnë të gjitha palët.

Përfaqësuesit e delegacionit nga Emiratet e Bashkuara Arabe njoftuan Kryeministrin Thaçi për interesimin e tyre që të investojnë në bujqësi, infrastrukturë dhe teknologji informative.

Kryeministri Thaçi u shpreh i kënaqur me gatishmërinë për të investuar sidomos në bujqësi dhe konfirmoi se Qeveria e Kosovës është duke punuar që të krijojë kushte sa më të favorshme për investitorët e huaj që janë të interesuar të investojnë në Kosovë, bëhet e ditur në njoftimin e dërguar nga Kryeministria kosovare.

Thaçi ka shkruar në Facebook se, "kjo vizitë po vjen pas takimeve që patëm gjatë verës Presidentja Jahjaga dhe unë me anëtarët e familjes mbretërore të Emirateve".
Thaçi thekson se, sot u fol konkretisht për mundesitë e mëdha që ekzistojnë për investime në Kosovë.

"Po ashtu e informova ekipin e ekspertëve emiratas për programin ekonomik të Misionit tonë të Ri i cili synon ta përshpejtojë rritjen ekonomike të Kosovës dhe krijimin e vendeve të reja të punës nëpërmjet Fondit të Punësimit që do ta themelojmë vitin e ardhshëm", shkruan Thaçi.

Më parë sot, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, priti sot në takim delegacionin faktmbledhës të nivelit të lartë të Emirateve të Bashkuara Arabe. Gjatë vizitës në Kosovë, nga 2-5 nëntor, delegacioni i EBA do të zhvillojë takime edhe me përfaqësues tjerë të qeverisë, institcioneve të pavarura ekonomike dhe të sektorit privat.

ATSH