Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka takuar në Pallatin Elysee në Paris presidentin e SHBA-ve, Donald Trump, të cilin e ka falënderuar për mbështetjen e SHBA-ve në drejtim të konsolidimit të shtetit të Kosovës. Lajmin e jep vetë Thaçi përmes një postimi në rrjetet sociale ku publikon edhe foton e takimit, ndërsa shkruan se shefi i Shtëpisë së Bardhë mbështet arritjen e një marrëveshje Kosovë-Serbi.
Në Paris takova presidentin e SHBA-së, Donald Trump, të cilin e falënderova për mbështetjen e SHBA-së për Kosovën dhe rolin e saj vendimtar për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin. Në këtë periudhë të rëndësishme për Kosovën ishte inkurajuese të dëgjoj se presidenti Trump mbështet “100% arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”. Ne në Kosovë jemi dhe do të mbetemi përherë mirënjohës ndaj SHBA-së dhe popullit amerikan.
Hashim Thaçi, president i Kosovës
Takimi i Thaçit me Trump në Pallatin Elysee
Hashim Thaçi ndodhej në Paris në kuadër të ceremonisë për 100 vjetorin e përfundimit të Luftës së Parë Botërore si i ftuar i presidentit francez, Emmanuel Macron, krahas liderëve të tjerë.