Thaçi: Thelbësore, Kosova të tregojë maturi institucionale

Kryeministri i Kosoves Hashim Thaçi (ARKIV)
PRISHTINË,  28 Qershor /ATSH-B.Jashari/.-Është thelbësore që Kosova të tregojë maturi institucionale, shprehet kryeministri Hashim Thaçi,  lider i PDK-së fituese në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 8 qershorit, pas shpalles së rezultateve përfundimtare dhe në pritje të çertifikimit të tyre, si dhe të mbledhjes konstituive të Kuvendit e krijimit të qeverisë së re.
"Zgjedhjet parlamentare të qershorit u zhvilluan me sukses. Qytetarët shprehën vullnetin e tyre lirshëm për të ardhmën e tyre, për Kosovën e zhvilluar dhe të integruar në BE dhe NATO. Tani procesi i çertifikimit të rezultateve po afrohet", thotë ai.
"Në ndërkohë, pritet që edhe Gjykata Kushtetuese e Kosoves t'i jap përgjegje pyetjeve të parashtruara nga Presidentja e vendit. Verdikti i Gjykatës Kushtetuese pritet të qartësojë dilemat e panevojshme që janë ngritur. Unë si kryeminister i vendit e mirëpres dhe publikisht zotohem se do të respektoj vendimin e Gjykatës Kushtetuese paverësisht cili do jetë ai. Kështu kemi vepruar edhe në të kaluaren kur kemi pranuar vendimet e kësaj gjykatë edhe atëherë kur ato kanë qenë në kundërshtim me pritjet tona", shkruajti Thaçi në Facebook, pak më parë.
"Fundja, çështja thelbësore e gjithë këtij procesi është që Kosova te tregojë maturi institucionale dhe qytetarët tonë të fillojnë ta prekin ndryshimin që do ndodhë me fillimin e zbatimit te Misionit te Ri", përfundon kryeministri Thaçi.
Sipas rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakoshme parlamentare të 8 qershorit, të shpallura të enjten zyrtarisht nga KQZ, koalicioni i PDK-së ka 30,38 % të votave - 37 deputetë ,  ndërsa LDK 25,24 % - 30 deputetë, Lëvizja Vetëvendosje 13,59 % - 16 deputetë, AAK 9,54% - 11 deputetë,  Nisma për Kosovën 5,15% - 6 deputetë.
Pas zgjedhjeve dhe rezultateve janë ngritur debate se mandatari për formimin e qeverisë së re a do të jetë Hashim Thaçi, i nominuari nga subjekti politik fitues - Partia Demokratike e Kosovës në koalicion parazgjedhor me katër parti të tjera të vogla, apo Ramush Haradinaj, i nominuari nga koalicioni paszgjedhor i dy partive të opozitës - Lidhjes Demokratike të Kosovës e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe subjektit të ri politik Nisma për Kosovën.
Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për t'ia hequr dilemat se kë duhet ta propozojë për kryeministër pas çertifikimit nga KQZ,  që pritet javën e ardhshme, të rezultatit të zgjedhjeve nacionale.
Në Kosovë, zgjedhjet parlamentare në 8 qershor 2014, të vlerësuara ndërkombëtarisht një hap përpara në konsolidimin e demokracisë, ishin të pestat në liri, të dytat në pavarësi./a.g/

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS