Shtëpia botërore e futbollit, FIFA, po shqyrton një skenar të minutës së fundit përpara Kupës së Botës 2026, në rast se Irani vendos të tërhiqet nga turneu për shkak të situatës politike dhe luftës me SHBA-në dhe Izraelin.

Sipas raportimeve të 'The Athletic', FIFA ka nisur diskutimet për organizimin e një play-off-i të minutës së fundit, i cili do të përcaktonte një zëvendësues të mundshëm për Iranin në kompeticionin më të madh të futbollit botëror.

Plani parashikon pjesëmarrjen e katër përfaqësueseve; dy nga Evropa dhe dy nga Azia. Megjithatë, mënyra e përzgjedhjes së ekipeve ende nuk është finalizuar.

Nëse merret për bazë renditja botërore, atëherë Italia shihet si ekipi kryesor nga Evropa, duke qenë në pozitën e 12-të. Pas saj renditet Danimarka (20), ndërsa më pas vijnë Polonia (35) dhe Kosova (78).

Situata mbetet ende e paqartë, pasi nuk ka një vendim zyrtar nga Irani për pjesëmarrjen në turne. Sipas medieve ndërkombëtare, një vendim përfundimtar pritet të merret në javët në vijim, me datën 12 maj që përmendet si moment kyç për sqarimin e kësaj çështjeje.

Nëse ky skenar realizohet, do të ishte një ndër rastet më të pazakonta në historinë e Kupës së Botës, duke shtuar edhe më shumë tension dhe interes përpara nisjes së turneut.

Situata e Iranit

Irani mund 'të detyrohet' të tërhiqet nga Kupa e Botës 2026, veçanërisht pasi FIFA refuzoi të zhvendosë ndeshjet e ekipit jashtë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjë që do ta vinte organin qeverisës botëror në një pozicion të vështirë vetëm disa javë para fillimit të turneut.

Për shkak të luftës së muajve të fundit mes SHBA - Izraelit dhe Iranit, këta të fundit kanë refuzuar të luajnë në SHBA, ndërsa Kupa e Botës 2026 do zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksikë dhe Kanada.