Rrjeti terrorist Al Kaeda i ka kërkuar ISIS-it lirimin e Alan Henningut, qytetari i dytë britanik i marrë peng nga Shteti Islamik sepse, sipas Al Kaedës ai është vetëm një vullnetar i pafajshëm dhe se rrëmbimi i tij ishte në kundërshtim me ligjin islamik dhe kundërproduktiv, njoftoi sot gazeta e përditshme britanike "The Independent".

Katër ditë pas rrëmbimit të Henningut në qytetin sirian Al Dana, një lider i Al Nusras, filial i Al Kaedës në Siri, ka shkuar të flasë kokë më kokë me pengmarrësit e ISIS-it duke i paralajmëruar mbi rrezikun e një veprimi të tillë.

Ngjarjen për gazetën britanike e tregon një dokumentarist amerikan, i cili ka intervistuar ndërmjetësin e Al Kaedës për këtë çështje. Sipas Bilal Abdul Kareem, lider i Al Nusras, xhihadistët "nuk kanë asnjë të drejtë rrëmbimi".

Edhe pse Kareem kishte besim në lirimin e tij, më pas vullnetarin britanik e kishin larguar nga Al Dana dhe tani nuk dihet asgjë për të.

Dje, ministri i Jashtëm britanik, Philip Hammond pranoi se për Huningun nuk dihej asgjë.

Taksist dhe baba i dy fëmijëve, Henning, 47 vjeç, ia kushtonte kohën e lirë grumbullimit të ndihmave për fëmijët sirianë. Ai ishte në udhëtimin e tij të katërt kur, më 26 dhjetor 2013 u rrëmbye në Al Dana, pranë kufirit me Turqinë./ ATSH/.