Themelko i shkruan Gogo Nushit,
Si i pushkatuan 4 spiunë që
u hoqën si partizanë

Themelko i shkruan Gogo Nushit,<br />Si i pushkatuan 4 spiunë që<br />u hoqën si partizanë
18 Gusht 1943.  Italia fashiste ende nuk ka kapitulluar dhe forcat italjane nuk janë tërhequr nga territori shqiptar.  Në Pezë, Kristo Themelko duket se është vënë në krye të punëve organizative, sa i takon çështjeve partiake, por edhe ushtarake.  Në këtë letër që kemi zgjedhur sot për botim, të cilën ai ia nis Gogo Nushit, Themelko shpjegon me hollësi organizimet ushtarake që po bëjnë, sa i takon zgjedhjes së  komandantëve dhe komisarëve politikë si edhe vështirësitë për të gjetur elementët e duhur.

Më tej ai trajton disa çështje të tjera lidhur me persona të caktuar. Tërheq vëmendejen rasti i kapjes së katër spiunëve që siç lajmëron Themelko ishin futur në rradhët e partizanëve për qëllime zbulimi dhe dënimi i tyre me pushkatim, gjë që ksihte bërë përshtypje të mirë sipas tij.

Një hapësirë të madhe në letrën e  tij Themelko i kushton kërkesave për armatim e mjete të tjera çka nënkupton mobilizimin për të forcuar vijën e luftimit në këtë zonë.
Letra nuk trajton në asnjë rresht çështje përballjeje apo kundërshtish me forcat reaksionare ç’ka nënkupton se në këtë periudhë të ’43-it vëmendja e partisë komuniste ishte gjetkë, më së shumti në drejtim të organizmit dhe fuqizimit të saj.
 
 
Dokumenti i plotë
 
Vdekje fashizmit
Liri popullit.
 
18/8/43.
 
Të dashtun Shokë.
Ju kam dërgue nji letër para disa ditësh dhe ju raportonja mbi gjendjen e këtushme, në përgjithësi dhe mbi gjendjen e punës së partis, dobësit, lëshimet, gabimet dhe sukseset që ka patur Partija e jonë në këtë rajon.
Me shtimin forcave partizane, dhe nga nevojat e luftës kemi ba nji organizim ushtarak pak i rregullt, janë organizue 8 çeta prej 40 partizanë deri 70 për çdo çetë. Kemi caktue Komandanta dhe nën/Komandanta, Komisarë Politik dhe në disa dhe nën/Komisarë, nuk kemi caktua në të gjitha nën/Komisarë P. për arsye se mungojnë elementët e pregatitur hë për hë. Janë formue në çdo çetë celulat dhe janë zgjedhur dhe përgjegjsit e tyre, disa prej këtyre që s’janë emnue do i shofim në punë e në rast se janë të aftë do i emnojmë për nën K.P. e po të mos jenë celula zgjedh përgjegjës tjetër dhe atë e emnojmë. Se për ndryshe bën përshtypje të keqe në partizanët se sot emnohet nji drejtues nesër hiqet e vihet nji tjetër, asht humbje për partin.

Këto 8 çeta do i organizojmë në 2 batalone, kështu formohen dhe dy byro batalionesh, dhe përgjegjsit e byros që do të jenë nën/K.P. të batalonit do kenë lidhje me nën/K.P. të shtabit të qarkut dhe aj me juve. Ky plan ka fillue me u vu në veprim por akoma nuk asht përfundue, shkaku qëndron se na mungojnë drejtuesit ushtarak për Kmandanta e nën/Komand. batalonesh, mbas disa aksionesh do i njofim elementat e do veprojmë, porse punën e partis në këtë mënyrë do e organizojmë, se gjejmë pretekste të ndryshme që ti bajnë bledhjet. (mo të kuptohemi keq përgjegjsit e byrovet nuk deklarohen përpara partizanëvet si nën/K.P. të batalonevet veçse bëjnë punën e partis).

Njashtu kemi fillue me organizue dhe rinin, dhe do zgjidhen dy përgjegjës për rinin e dy batalioneve e do marin pjesë në byrot.
Elementat shokë në përgjithësi paraqiten të mirë por mungon eksperienca si drejtuesa, janë mësue të jenë pasiva, ti çpojë dikush prapa duhet deri sa të fitojnë iniciativën. Kanë fillue me kuptua nevojën e punës, rëndësin dhe nji ngjallni të vogël, dhe nji ndryshim nër partizanët.
 
Për shokun Pandi janë ato që ju kam shkrue unë dhe çfar ju ka thënë dhe doktori, dhe pak i asht rit mëndja, kjo ka ndoth se aj i pa pregatitur i janë dhënë përgjegjësia të shumta dhe vetvetiu i asht mbjell kjo sëmundje e vogël, këtë e çfaq në sjelljet me shokët dhe me partizanët. Dënimi i dhanun prej Qarkorit unë e gjej të arsyeshëm.

Kemi këtu dhe Masarin Shehun bashkë me Zanen nuk di mbi qëndrimin e tija në burg më shkruani. Këtu paraqitet pak sentimental, e prej kësaj pike nuk asht kaqë i gjallë në pun. Vazhdimisht i pëlqen që të rij me të e sidomos asaj dhe ka rënë në sy të partizanëve, dhe të shokëve. I kam thënë dhe prap vazhdon. Nuk di se çfar pune me i ngarkue prandaj më lajmëroni qëndrimin e tija.

Për elementa drejtuesa që mungojnë që ju kisha shkruar s’ka gajle, me këtë material që kena do mundohemi që ta ndërtojmë shtëpin. Xhandarët nji pjesë prej atyne paraqiten simpathizanta dhe do fillojmë ti fusim në grupe edukative.
Masi e dini se anëtarët janë nga pikëpamja e pregatitjes së tyne teorike dhe politike, njashtu dhe do të kemi grupe edukative, na dërgoni këto libra dhe të tjerë që keni.

8 copë “Dy botnat”, 8 copë “Leninizmin teorik dhe praktik” dy pjesët 6-7 copë,  “Lenin mbi Katundarët” 12 cop. “Rruga e Jetës” prej Kosarefit (kjo asht shumë e vlefshme për element që simpatizojnë Komunizmin, 10 cop. “Lenini dhe Rinija” 8 cop. Dy pjesët e historis së Partis, 10 cop. “Jeta e Stalinit”, dhe disa copa nga Rrezolucioni. Kaq përsa i përket punës së Partis.
 
Lajmëroni kurierët që letrat duhet tmi dorëzojnë mua e jo kë të gjejnë si për shëmbëlle këtë letrën e fundit të Hysenit ja dhan Shuqriut dhe aj e hapi dhe pa gjithçka përmbante brenda mbi punën e partis jo vetëm aj por dhe xhandarët që ja kënduan, ska faj ky po kanë faj shokët e partis. Njashtu dhe plaçkat që dërgoni i dërgoni me listë i kemi thënë dhe Doktorit, se asgjë nuk vjen në regull, ashtu dhe ju na ti porositim kurierët që ti dorëzojnë në vënd plaçkat e jo ti lenë nëpër rugët në dorë të katundarëvet, ata sdinë e bëjnë gabime.
Ni rreshter i xhandarmëris që asht aratis nji shumë të hollash nga arka e sustencës, dhe ja ka dorzue Gaqos si ndihmë për luftën, botoheni në komunikatë se flasin për të se i ka marë për vete. (shoku prej darde)

Kemi dërgue disa shokë në konferencën e rinis, nga anëtarët të caktuar që të punojnë në sektorin e rinis.
Para disa ditësh ka qënë këtu Zenel Hekali, dhe e kemi nis për Mallakastër, sjelljet e tija përsa kuptova unë ishin të nji intelektuali delikat. I ka marë dhe nja 30 napolona disa shokëve, dhe këta ti kërkojshin me anën e partis Kamber Qafmollës masi ja kishte dhanë aj në burg kur ka qënë që tja mbante, prandaj kërkojani dhe mi dërgoni këtu në rast se nuk ja keni marë. Mori me vete dhe disa nga ata të burgut që kanë dalë.

Për ardhjen e Tarasit me shokë na shpjegoj dhe Tafa i presim po nuk dimë se nga çdrejtim do vinë. Duhet të kemi lidhje të regullta dhe të shpejta që ti plotësojmë të gjithë nevojat që do ti paraqiten atyne.
Nevojat t’ona janë të mëdhajë po ne e dimë që s’munt ti plotësojmë të gjitha me ndihmat, që mbledhim nga populli; por vetëm nevojat kryesore. E nevojat kryesore janë: opinga e këto opinga i blini pak të forta se nuk shkojnë as dy javë, se mos bëjmë punë që për ma lirë na shkon ma shtrejt. Pantallona, por jo si ato që i keni dërgue herën e parë, të grisuni të gjata etj. por epjani gravet le ti qepin ti bajnë qilota ose sport e mbasandaj i dërgoni, ska njeri këtu që ti regullojë këto. Pak këmisha dhe brekë, dhe pak sapun për ti la këto.

Po të keni mundësi dhe krijoni mundësit tue ba nji fushatë në popull për pagure uji, këto janë shumë të nevojshme sidomos kur jemi në aksione mbeten shokët nga mungesë e ujit. Rripa fishekësh për pushkë italije e pak greke, nja 60 copë. Na dërgoni dinamit po të keni dhe veglat për të çpu brimat pytni atë Inxhinjerin që din mbi minat, që tju kallzojë për veglat që duhen.
Shenjat partizane ato shoqet mos ti bajnë si angari që edhe unë po të filloj ti baj i baj ma të mira, e dërgoni nja 100 copa.
Sigurisht e dini punën e barakave, keni bisedue me Tafan, prandaj pytni sa drasa duhen për nji barakë prej 5 metro gjatsi e 4 gjansi dhe me gjith çatin. Dhe për dy të tjera vetëm për çati. Dërgoni dhe kartë prej zifti për mbuluar.

Drasat të jenë disa treçerekshe i thonë e disa tavanore, por ma shum treçerekshe. Gozhda prej 5 cmt. deri 10 cmt. Na dërgoni nja 10 kazma dhe 10 lopata, nji sapatë të madhe e të mirë dhe nji të vogël. Çakiçë për të mbërthuer gozhda, dy palë dhanë. Kujdesohuni për nji familje të ish marshall Alushit gjindet në Ndroq, çoni po të keni mundësi ndonji send. Asht nji xhandar tjetër që e ka familjen në Tiranë e keni letrën dhe adresën këtu brenda, asht shum keq nga gjendja ekonomike.
 
Keni nji raport të Xhemal Canit. Aj e raporton çeshtjen ndryshe të ikjes së burgut, shifni si qendron e vërteta, aj asht trondit mjaft dhe bile qau para meje. Ne e kemi dërgu në nji çetë si partizan dhe ka kërkuar që të vejë në nji çetë ku bahen aksione ma shumë (këto do i shofim në praktikë) dhe epni ndonji përgjigje mbi këtë punë.

Po ju dërgojmë proceset e katër spiunëvet që i kemi kap që vijshin në çetat si partizanë me zbulue. I kemi pushkatue të katër përnjiherësh dhe përpara çetavet, bani përshtypje të mirë. Batoheni vendimin gjyqit të Shtabit të Qarkut të Pezës. Për aksionin e Pezës së vogël nuk mund tu tregojmë hollësira masi nuk mundëm me i ba që të dorëzohen, shkaku asht se kanë patur pozita të mira dhe fortina ishin të rethuem me tel dhe kishin shumë automatike, ma shum se 5 mitraloza të randa e të lehta bomba etj.

Lufta vazhdoj 3 orë dhe mundëm me mar vetëm nji fortinë, dhe nji mitraloz të rëndë, ky mitraloz me tu marë u rregullua prej partizanëve dhe u fut prap në përdorim kundër tyne, me gjith se ishte markë Angleze. Kemi përdor bomba hedhëset, mitralozat, dhe jam plot i bindun se janë vra shumë prej tyne, sdimë numrin. Nga neve nji partizan asht plagos lehtë e siç shifet prej partizanëvet. Të nesërmen kanë bombardue Pezën asnji dam, thonë që ndroq asht vra nji Hoxh e dy tjer. Partizanët kanë qëndrue mirë me përjashtim të nji anëtar partije që i u fut friga në palcë, do e përjashtojmë.

Në Komunën e Ndroqit kena mar për nevojat e luftës nji radio me akumulator dhe nji makinë shkrimi e pak letra.
Këtu keni nji letër prej nji partizani Italjan, që tregon se ka nji shok shum i mirë dhe i vendosur mekanik punon në tankset në kazermat Shkumbin. Interesohuni që ta gjeni se si thot ky partizani aj do të na vlejë shumë për çdo gja, edhe për me sulmue e me mar dhe tankse. Keni dy copa njena asht për rekomandim e tjetra me ja dhanë atij. Por konspirativisht me e ba këtë punë.
Kaq po ju shkruaj tani më von po ju shkruaj prap.
Të fala shoqnore
Shulja.

Shkrimi u publikua sot (24.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Netanyahu: Do të bëj gjithçka që Irani të mos ketë armë bërthamore

Netanyahu: Do të bëj gjithçka që Irani të mos ketë armë bërthamore