Një nga koleksionet më të çmuara të trashëgimisë artistike shqiptare ka mbërritur në Francë. Në Chambéry është hapur ekspozita “Ikonat e Shqipërisë – Thesaret e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar të Korçës”, e cila sjell para publikut francez një përzgjedhje të veçantë të ikonografisë shqiptare.
Ekspozita prezanton mbi 45 ikona nga fondi i Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar të Korçës, vepra që pasqyrojnë zhvillimin e artit ikonografik shqiptar ndër shekuj dhe vlerat shpirtërore e kulturore që ato mbartin.
Mes tyre spikasin krijime të emrave më të njohur të ikonografisë shqiptare, si Onufri, vëllezërit Zografi dhe Mësues Kostandini, artistë që kanë lënë gjurmë në historinë e artit mesjetar në Shqipëri.
Sipas ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ekspozita përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme të diplomacisë kulturore shqiptare në arenën ndërkombëtare. Ajo do të qëndrojë e hapur nga 13 qershori deri më 13 nëntor 2026, duke u dhënë vizitorëve mundësinë të njihen nga afër me një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare.
Komente







