Thesaret e Marubit,fotot shqiptare
të 100 viteve shkojnë në Amsterdam

Thesaret e Marubit,fotot shqiptare<br />të 100 viteve shkojnë në Amsterdam
Një grup fotografish të rralla nga fondi i vyer Marubi, do të ekspozohen nga 16 shtatori deri me 27 nëntor në Amsterdam, në Muzeun e Fotografisë FOAM.

Ekspozita ku përmblidhen foto të përzgjedhura me kujdes nga koleksioni i pasur i fototekës Marubi do të ketë titullin “Dinastia Marubi - 100 vite të studios fotografike shqiptare” dhe do të shpalosë për publikun e huaj fotografitë e përzgjedhura nga 1856 deri 1959.
 
Tre breza fotografësh që kanë realizuar portrete në studio të cilat variojnë nga subjekte të borgjezisë urbane, barinj, personazhe nga koha e perandorisë osmane dhe Mbretit Zog e deri tek kriminelët, aktorët e famshëm dhe piktorët, do të prezantohen për publikun art dashes të Amsterdamit.
 
Rreth vitit 1850, jo shumë kohë pas shpikjes së fotografisë, italiani Pietro Marubi erdhi në Shkodër për të zhvilluar punën e tij. Në qytetin verior ai instaloi studion e parë fotografike në rajon.
 
Pas vdekjes së Pietros, asistenti i tij Kel, mori të njëjtin mbiemër dhe zhvilloi më tej studion fotografike të cilën ja kaloi më pas djalit të tij Gegë Marubi.
 
Grumbullimi i koleksionit të madh me rreth 150.000 negative është interesant nga pikëpamja historike, sociologjike, kulturore dhe antropologjike, po ashtu dhe nga aspekti i njohjes së këndvështrimit të artistit.
 
Ngjarjet nga historia e trazuar e Shqipërisë, që nga kohërat osmane deri në periudhën komuniste, ritualet sociale, kostumet folklorike dhe portretet sociologjike interesante janë gjithçka që gjendet në këtë ekspozitë. Ky koleksion është një hyrje në historinë e pasur fotografike të një vendi të izoluar evropian që shpesh neglizhohet.
 
Ekspozita “Dinastia Marubi - 100 vite të studios fotografike shqiptare”, është pjesë e një serie ekspozitash të fotografive të realizuara në studio që FOAM ka prezantuar ndër vite duke përfshirë portrete nga Isfahan, Foto Galatasaray, Maryam Sahinyan’s Photo Studio dhe Disfarmer - The Vintage Prints. Kjo pasqyron një interes në rritje të fotografisë dhe vlerave të saj artistike, kulturore dhe sociale përgjatë njëzet viteve.
 
Ekspozita e Amsterdamit organizohet në bashkëpunim me Muzeun Kombëtar të Marubit në Shkodër dhe përkrahet nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë dhe Kleurgamma. FOAM është mbështetur nga BankGiro Lotari, De Brauw Blackstone Westbroek, Delta Lloyd, City of Amsterdam, Olimp dhe Fondacioni VandenEnde.
  
Sot festohet Dita Ndërkombëtare e Fotografisë, një event që frymëzon mijëra fotografë për të bashkëndarë një fotografi të tyre me të gjithë botën. Sot janë shënuar 177 vite që prej fotografisë së parë në botë ndaj po ndajmë me ju një pamje në studion e Pietro Marubbit ku pozojnë vëllezërit Mati Kodheli (mbi gomar) dhe Kel Kodheli Marubi (në cep) i cili do të trashëgojë më vonë artin e fotografisë.

marubi

marubi

marubi

marubi

marubi

Redaksia Online
Alma Nikolli/Shqiptarja.com
 

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Patos/ Punonjësi egjiptian bie nga lartësia dhe humb jetën teksa punonte në shtyllën e tensionit në Ruzhdie

Patos/ Punonjësi egjiptian bie nga lartësia dhe humb jetën teksa punonte në shtyllën e tensionit në Ruzhdie