Një skicë këmbe nga Michelangelo është shitur për 23 milionë dollarë, më shumë se 10 herë mbi vlerësimin fillestar.

Ekspertët e Christie's thonë se bëhet fjalë për një skicë të këmbës së Sibilës Libiane, e cila më vonë u pikturua në tavanin e Kapelës Sistine. Sipas shtëpisë së ankandeve, pronari kishte dërguar vetëm një fotografi për të marrë një vlerësim ankandi, për të zbuluar më pas vlerën e vërtetë të skicës.

Andrew Fletcher, drejtori global i Departamentit të Mjeshtrave të Vjetër në Christie's, e përshkroi zbulimin si “një nga momentet më të paharrueshme” të karrierës së tij.

Skica e vogël me shkumës të kuq mendohet të datojë rreth viteve 1511–1512, kur Michelangelo po përgatitej të punonte në gjysmën e dytë të pikturës së tavanit të Kapelës Sistine, e cila përfshinte edhe Sibilën Libiane.

Pronari, i cili jeton në Bregun Perëndimor të SHBA-së dhe identiteti i tij nuk dihet, i tha Christie's se e kishte trashëguar vizatimin nga gjyshja e tij. Ai tha se vepra ishte përcjellë brez pas brezi në familje në Europë që nga fundi i viteve 1700.

Një specialiste e Departamentit të Vizatimeve të Mjeshtrave të Vjetër në Christie's, Giada Damen, përdori reflektografi infra të kuqe, e cila zbuloi vizatime në pjesën e pasme të fletës që gjithashtu i ngjanin punës së Michelangelos.

Më pas, Damen e krahasoi këmbën me një vizatim të Michelangelos në Muzeun Metropolitan dhe rezultoi se skica ishte origjinale.