Ishte në arrest shtëpie, por sërish kishte dalë “në punë”. Një 52-vjeçar në Korçë është kapur në flagrancë teksa po çonte një 22-vjeçar drejt kufirit me Greqinë për 100 euro.
Policia e gjeti jashtë banese, duke shkelur masën e sigurisë që i ishte vendosur pikërisht për të njëjtën vepër.
I riu dyshohet se do të kalonte ilegalisht kufirin, ndërsa në prapaskenë kishte edhe një ndërmjetës, 37 vjeç, që kishte bërë lidhjen mes tyre.
52-vjeçari u arrestua, ndërsa për personin tjetër ka nisur procedimi penal.
Hetimet janë në vijim.
Njoftimi i plotë i Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë
"Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Korçë arrestuan në flagrancë shtetasin B. B., 52 vjeç, banues në fshatin Zëmblak, Maliq dhe referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi penal për shtetasin Gj. P., 37 vjeç, banues në Korçë. Shërbimet e Policisë kanë konstatuar jashtë banese, shtetasin B. B., i cili kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, caktuar nga Gjykata, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”. Në momentin e kapjes, ky shtetas ishte i shoqëruar me një 22-vjeçar, të cilin dyshohet se do ta ndihmonte për të kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin me Greqinë, kundrejt shumës 100 euro. Shtetasi Gj. P. dyshohet se ka kryer ndërmjetësimin mes këtyre dy shtetasve"
__________________
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente










