Ishte me “arrest në shtëpi”, por kjo nuk e ndaloi një 26 vjeçare me banim në Tiranë që të dilte pa e vrarë mendjen dhe të vidhte sërish nga bizneset dhe banorët e Tiranës.
Janë të paktën tre raste të denoncuara vjedhjesh nga ana e hajdutes seriale, që kanë ndodhur në harkun kohor të pak javëve të identifikuara nga policia.
Kështu, me 3 janar, ajo kreu një vjedhje në një biznes, bëri një muaj pushim dhe me 7 shkurt vodhi me dhunë në një subjekt tjetër, ndërsa me 20 shkurt i ka marrë me dhunë një shumë parash një personi tjetër.
Në pamjet që ka shpërndarë policia që i përkasin njërit prej rasteve, shihet e reja, e veshur me të zeza që vërdalloset në dyqan, merr paratë nga sirtari, përleshet me shitesen e dyqanit e largohet prej andej me vrap
E reja, me precedent të theksuar për vjedhje, ishte e dënuar më parë për të njëjtën vepër penale dhe aktualisht ndodhej me masë sigurie “arrest në shtëpi”. Ishin pikërisht denoncimet e qytetarëve ato që nxitën policinë e Komisariatit Nr. 2 të organizonte operacionin e koduar “Intervali”, që çoi në identifikimin dhe arrestimin e saj. Hetimet vijojnë për të zbuluar nëse ajo është e përfshirë edhe në raste të tjera.
Njoftimi i plotë i policisë
Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Intervali”. Kreu 2 vjedhje me dhunë gjatë muajit shkurt, dhe 1 vjedhje gjatë muajit janar, arrestohet në flagrancë 26-vjeçarja. Shtetasja, e dënuar më parë për vjedhje dhe aktualisht me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për të njëjtin krim. Pas denoncimeve të qytetarëve, për vjedhje të pronës/pasurisë së tyre, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 organizuan punën për nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve përgjegjës.
Si rezultat i veprimeve hetimore dhe operacionale të kryera në kuadër të operacionit të koduar “Intervali”, u identifikua dhe u arrestua shtetasja R. S., 26 vjeçe, me precedent të theksuar për vjedhje. Nga këto veprime dyshohet se kjo shtetase:
-më datë 07.02.2026, ka vjedhur me dhunë në një subjekt;
-më datë 20.02.2026, i ka vjedhur me dhunë, një shumë parash, një shtetasi;
-më datë 03.01.2026, ka vjedhur në një subjekt.Vijon hetimi për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të ketë kryer kjo shtetase. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Komente








