Thimi Mitko, Një vepër e panjohur
e Rilindjes Kombëtare

Thimi Mitko, Një vepër e panjohur<br />e Rilindjes Kombëtare
Sot është një ditë e shënuar për gjuhësinë shqiptare, një nga ato ditët që lidhen me një mrekulli. Është fjala për mrekullinë më të çuditshme që ka krijuar psikika e njeriut dhe që është mrekullia e ringjalljes, e riardhjes në jetë.

Është ringjallur Thimi Mitkoja gjuhëtar, është ringjallur “Fjalëtoreja” e tij e gjuhës shqipe. Thimi Mitkoja prej kohësh ka hyrë në Panteonin e Rilindjes sonë Kombëtare. Shtatorja e tij në këtë Panteon ka pasur si piedestal përmbledhjen e mrekullueshme folklorike “Bleta shqiptare”. Me veprën e ringjallur “Fjalëtore” ky piedestal bëhet më i lartë e bashkë me të edhe figura e këtij burri nga çeta e hershme e rilindësve.

Se ç’rëndësi ka kjo vepër, na e rrëfen thënia “Një flamur dhe një fjalor bëjnë një shtet”. Kjo do të thotë se ideja kombëtare e përfaqësuar me një simbol dhe gjuha kombëtare si përfaqësuese e një vetëdije, e një tradite dhe kulture të veçantë, janë forcat lëvizëse të popujve nën sundime të huaja për të fituar lirinë kombëtare, dinjitetin dhe organizimin e tyre shtetëror të pavarur.

Flamuri i Kastriotëve dhe shembulli i Gjergj Kastriotit - Skënderbeut u bënë Flamuri i Lëvizjes Kombëtare që në fillimet e saj. Duhej fjalori si përfaqësues i një gjuhe dhe kulture të veçantë kombëtare. Më 1879 Shqiptarët u mblodhën dhe caktuan një palë shkronja për gjuhën shqipe; më 1882 Kristoforidhi dhe më 1886 Samiu hartuan nga një gramatikë; Kristoforidhi e kishte gati fjalorin po atë vit që botoi gramatikën, por nuk arriti ta shihte të botuar.

Ndërkaq edhe vëllezërit Frashëri, sipas dëshmive të besueshme, punonin për një fjalor të tyrin, e krahas tyre edhe Thimi Mitkoja.

Sot ne i shprehim Thimi Mitkos mirënjohjen tonë të thellë për idenë e ndritur që ka pasur dhe për mundimet që ka hequr, derisa ia doli në krye. “Fjalëtorja” e tij vërtet nuk arriti të shihte dritën e botimit dhe të kryente shërbimet e saj në kohën nga e cila e mori frymëzimin, por kjo nuk do të thotë se koha e saj ka kaluar dhe ne sot mund ta kundrojmë si një relike të muzeut historik të kulturës shqiptare.

“Fjalëtorja” e Mitkos ka vlera të mëdha vepruese edhe për ditët tona. Së pari, ajo vjen si një dëshmi e punës së dendur të rilindësve tanë në fushën e gjuhës shqipe, si shprehje konkrete e mendimit të tyre gjuhësor dhe si dëshmi e përkushtimit të tyre për të mbledhur, për të sistemuar dhe për t’ia përgatitur lëndën gjuhësore të nevojshme një shteti të ardhshëm të gjithë shqiptarëve, që do të vinte në mënyrë të pashmangshme, por natyrisht jo vetvetiu, siç vjen pranvera pas dimrit.

Këtë bëri Kristoforidhi me “Gramatikën” dhe “Fjalorin” e tij, këtë bëri përsëri Sami Frashëri me “Gramatikën”, po edhe me një fjalor që rasti dhe fati mund ta kenë ruajtur diku, këtë bëri edhe Mitkoja me “Bletën” e me “Fjalëtoren” dhe këtë bëri më pas edhe Shoqëria “Bashkimi” me “Fjalorin” e saj.

Miradija jonë e thellë u drejtohet sot edhe pasardhësve të familjes Mitko, që e ruajtën si të shenjtë trashëgiminë shkrimore të paraardhësit të tyre dhe që patën urtësinë e mirësinë ta dorëzojnë te njerëzit e duhur dhe në vendin e duhur.

U jemi mirënjohës edhe atyre që erdhën duarplot nga ekspedita e kërkimeve arkivore në Egjipt në vitet ’80 dhe veçanërisht prof. Jorgo Bulos, studiuesit dhe gjurmuesit dorëmbarë të dokumenteve të Rilindjes Kombëtare, të cilin sigurisht e bren përbrenda, më shumë se këdo, shqetësimi se a do të dalë ndonjëherë në dritë edhe fjalori i vëllezërve Frashëri. Dhe pas tyre meriton mirënjohje të thellë e përgëzime të çiltra prof. Dhori Qirjazi. Nga qindra fletët e dorëshkrimeve të Mitkos ai nxori “Fjalëtoren”, që kemi përpara, duke punuar mbi ato dorëshkrime sikur Mitkoja t’ia kishte lënë amanet me gojën e vet e ta kishte vënë në be.

Në përpunimin leksikografik dhe përgatitjen për botim të dorëshkrimit Dh. Qirjazi ka derdhur tërë dijen e filologjike në fushën e shqipes e të greqishtes, mjeshtërinë dhe përvojën e fituar në fillim në Institutin e Gjuhësisë të Tiranës dhe pastaj në Universitetin e Selanikut, por pa u ndarë asnjëherë nga vatra e tij e parë shkencore. Kam bindjen se askush tjetër sot nuk do t’ia dilte dot më mirë në krye kësaj pune.

Ka qenë kënaqësi për mua ta ndihmoja me ndonjë sqarim të vogël, thjesht si koleg që e ka parë këtë diell vite e vite më parë e që kështu di ca gjëra më shumë për shkak të moshës. Dhe nga ato bashkëbisedime e letërkëmbime që kemi pasur, vëreja se Mitkoja i kishte hyrë aq shumë në zemër Dhorit, saqë më dukej sikur ndërmjet të dyve të ishte vendosur një lidhje e çuditshme, sikur Dhori të ishte bërë një bir në shpirt i Mitkos, dhe të dy merreshin vesh mirë me njëri-tjetrin për përgatitjen e veprës për shtyp.

Titulli i librit që kemi përpara “Fjalëtore shqip-gërqisht e gërqisht-shqip dhe ndihmesa të tjera leksikografike” na tregon edhe përmbajtjen: kemi të bëjmë pra me dy fjalorë: njëri shqip – gërqisht, që është dhe kryesori, zë 350 faqe të formatit të madh me rreth 6000 fjalë lema ose njësi leksikore të shpjeguara, ndërsa tjetri gërvisht-shqip, me rreth 2500 lema ose njësi leksikore zë 94 faqe, shtoju këtyre edhe 70 faqe të treguesit të fjalëve shqipe të përdorura në këtë pjesë (përsëri rreth 6000 fjalë); pas tyre ribotohet si një ndihmesë tjetër leksikografike fjalori i fjalëve të huaja që ka vënë Mitkoja në fund të librit “Bleta shqiptare”. Kështu, lënda leksikografike e Mitkos zë rreth katër të pestat e vëllimit prej 778 faqesh.

Vepra hapet me një fjalë të shkurtër për lexuesin nga Dh. Qirjazi, i cili si një dëtorës (fjalë e Budit që e ka përfshirë Mitkoja në “Fjalëtore”) i vetëdijshëm e i fisnik lan dëtyrat ndaj atyre që ia kanë bërë të mundur të dalë faqebardhë në rrugëtimin e vështirë e plot përjetime të kësaj vepre. Vargjet e Kavafisit, që ka sjellë këtu me shumë shije:
Shtegut kur të dalësh për Itakë, / Uro të jetë e gjatë udha, / Plot të papritura e njohje dhe përmendja e Itakës në to, më sollën ndërmend vargjet e para të një soneti të poetit francez të shek. XVI Joachim du Bellay:

I lumtur qoftë, kush si Uliksi vjen nga udhëtim i gjatë, / Kush si ai në duar mban bashkën e artë ... [Heureux qui, comme Ulysse, a fait un beau voyage,/ Ou comme cestuy-là qui conquit la toison]

Parathënia e veprës, e shkruar nga akademiku Jorgo Bulo përmban në dy faqe gjithçka të nevojshme që duhet të dijë si fillim lexuesi për Mitkon, për fjalëtoret e tij dhe për përgatitjen e tyre për shtyp dhe është një ftesë joshëse për të vijuar me vëmendje shfletimin e veprës.

Një e pesta (rreth 150 faqe) e kësaj vepre përbëhet prej hyrjes studimore e informuese me titullin “Habent sua fata manuscripta: rrugëtimi dhe vlera e veprës leksikografike të Thimi Mitkos” e hartuar nga përgatitësi për shtyp në dy versione: shqip dhe greqisht. Autori përpiqet këtu t’u japë përgjigje pyetjeve që i kanë dalë natyrshëm gjatë punës mbi dorëshkrimet e veprës, si: kur i lindi Mitkos ideja për t’i hyrë hartimit të këtij fjalori? Cili ka qenë kuadri kulturor dhe historik, që e frymëzoi Mitkon për këtë vepër gjuhësore?

Si mund të vështrohet kjo vepër në kuadrin e kulturor e politik të Ballkanit të asaj kohe? Dh. Qirjazi zbulon këtu natyrën e fjalëtores shqip-gërqisht, ecurinë e punës së Mitkos dhe të punës së tij, problemet filologjike e leksikografike që ka përballuar, karakteristikat e dorëshkrimeve të të dy fjalorëve dhe nëpër të gjitha këto gërshetohen natyrshëm vëzhgime e vlerësime për lëvizjen kulturore të Rilindjes, për kuadrin historik ballkanik të saj, për marrëdhëniet e veprimtarëve të saj me njëri-tjetrin dhe për lidhjet kulturore shqiptare-arbëreshe-arvanitase-greke.

Tani le t’u kthehemi edhe një herë fjalorëve. Ndër pyetjet e para që i dalin lexuesit është edhe: Kur i hyri Mitkoja kësaj vepre dhe sa vjet punoi mbi të? Idenë se është i nevojshëm një fjalor “shqip e gërqisht” Mitkoja ia ka shprehur Kamardës në një letër të vitit 1868, por këtë vepër atëherë e priste “ka Italia”, d.m.th. nga Arbëreshët. Se kur iu shtrua punës vetë, nuk mund të thuhet me saktësi. Ndërkaq Dh. Qirjazi ka dalluar dy faza të kësaj pune: fazën përgatitore të grumbullimit të lëndës gjuhësore dhe fazën e përpunimit leksikografik, ose të hartimit të fjalorit. Mitkoja do të ketë punuar për veprën e tij deri në muajt e fundit të jetës.

Siç ka vënë re Dh. Qirjazi, ai ka vjelë për “Fjalëtoren” libra të botuar deri më 1888 (këta libra mund t’i kanë rënë në dorë edhe gjatë vitit pasardhës 1889, p.sh. “Dituritë” e N. Frashërit, Bukuresht, 1888). Dihet se Mitkoja mbylli sytë më 22 mars 1890, plot 125 vjet më parë. Siç shënon Dh. Qirjazi në studimin hyrës, ka disa tregues që flasin se Mitkoja nuk arriti t‘ia jepte dorën e fundit “Fjalëtores” së vet (le të kemi parasysh edhe se fjalorët cilësohen si vepra që nuk mbarojnë kurrë!). Sidoqoftë duket qartë se ai la një fjalor në dorëshkrim, e jo thjesht një lëndë gjuhësore.

Edhe Mitkoja, ashtu si Kristoforidhi, e ka synuar fjalorin e vet si një vepër përfaqësuese të mbarë shqipes. Ashtu si Kristoforidhi edhe ai shpjegimet e fjalëve i ka dhënë greqisht. Por siç vëren me të drejtë Dh. Qirjazi për të dy këta autorë fjalorësh, “greqishtja nuk është gjuha e pikëmbëritjes e një fjalori dygjuhësh të zakonshëm. Ajo është hallka ndërmjetëse, metagjuha, që e ndihmon autorin (do të shtoja: edhe përdoruesin – E.L.) për t’u nisur prej shqipes e për të mbërritur po tek ajo.“ Ky arsyetim vlen natyrisht edhe për fjalorin e “Bashkimit”, ku, siç dihet, kuptimet e fjalëve shqipe janë dhënë nëpërmjet barasvlerësve ose shpjegimeve italisht.

Burimet e veprës së Mitkos janë ligjërimi popullor dhe shtypi e botimet e kohës në gjuhën shqipe. Në shkurtimet emrave të vendeve që shënojnë gjeografinë e fjalës, dalin emra si: Arbëria (Labëria), Berati, Borshi, Çamëria, Dibra (qyteti e krahina), Gora, Gjakova e Malësia e Gjakovës, Gjirokastra, Himara, Shkodra, Tirana, Toskëria, Vithkuqi, Vlora, e krahas tyre edhe vende të ngulimeve arbëreshe në Itali e në Greqi. Mitkoja, veç fjalorit që zotëronte vetë si shqiptar dhe si veprimtar i kulturës shqiptare, ka vjelë fjalë edhe nga një varg librash të autorëve të njohur e nga shtypi periodik i kohës, p.sh. nga De Rada (“Fiamuri Arbërit”, “Gramatika”), nga Dorsa (“Ungjilli”), nga Kristoforidhi (“Gramatika”), nga Skiroi (“Rapsodie albanesi”), nga Naim Frashëri (“Bagëti e bujqësia”, “Istori e përgjithshime”, “Vjersha për mësonjëtoret”, “E këndimit të çunave”, “Dituritë”); nga Samiu (“Abetarja”), nga Muhamet Çami (“Erveheja”); nga Jani Vretoja (“Mirëvetija”, “Abetarja”); nga autorët e vjetër ka vjelë Budin (Doktrina e Kërshtenë”) dhe “Kuvendin e Arbënit”; nga albanologët shënon Xylander-in dhe Hahn-in, të dy autorë fjalorësh shqip-gjermanisht.

Mitkoja nuk ka lënë me shkrim parime a kritere për hartimin e fjalëtoreve. Ai ka vepruar në mënyrë empirike, i ka pëlqyer më mirë të përveshë mëngët, se puna të mëson vetë; në kohën e tij ashtu kanë vepruar edhe të tjerë për fjalorë të këtij tipi. Dhe merret vesh se Mitkoja kishte pasur nëpër duar një varg fjalorësh për të mësuar e për të përdorur gjuhët e huaja që arriti të zotëronte. Kështu mund të thuhet se ai është udhëhequr më shumë nga arsyeja e shëndoshë, nga aftësia e tij për të ndjekur e për të përshtatur praktika të ngjashme.

Ashtu si Naum Veqilharxhi, si Kristoforidhi dhe si rilindës të tjerë, ai luftoi kundër fjalëve të huaja. Në një faqe të dorëshkrimit të Mitkos Dh. Qirjazi ka gjetur këtë shënim: “Lista e mëposhtme ... ka të bëjë kryesisht me fjalët e huaja, të cilat depërtuan në shqipe në rrethana të caktuara dhe që shqiptarët duhet t’i qërojnë prej gjuhës së tyre të lashtë e të nderuar... - f.. 53, shënim 79). Në këtë çështje ai vepron si dhe pararendësit e tij.

N. Veqilharxhi, p.sh. përfshiu te “Ëvetari” fjalën pënohem të gegërishtes së folur të kohës së tij për të shmangur turqizmin pishmanepsem dhe greqizmin metanoi,ndërsa Mitkoja për të njëjtin qëllim parapëlqen ta marrë këtë fjalë kishtare të katolicizmit nga vepra e Budit në formën pendohem.

Vepra leksikografike e Mitkos, e panjohur deri vitet e fundit, nuk i shërbeu dot procesit të pasurimit e të konsolidimit të shqipes letrare. Por ajo ka në vetvete vlera të shumta shkencore për gjuhësinë shqiptare. Përveç atyre që përmenda në hyrje të kësaj fjale, do të shtoj se kjo vepër tani duhet të studiohet si pasuri leksikore me tërë parametrat e saj.

Ajo i shërben historisë së dokumentimit të fjalëve dhe të pasurimit të leksikut me neologjizma e huazime, historisë së zhvillimeve semantike, historisë së ngulitjes së normës letrare drejtshkrimore e gramatikore, historisë së shqipes letrare në përgjithësi, marrëdhënieve të shqipes me gjuhët fqinje e sidomos me greqishten si gjuhë shkrimi, përpjekjeve për krijimin e termave, njohjes më të plotë të frazeologjisë dhe fjalëve të urta, toponimisë etj.

Fjalori i Kristoforidhit dhe fjalori i Mitkos qëndrojnë përkundrejt njëri-tjetrit si dy vepra përplotësuese, duke na dhënë të dyja së bashku një pasqyrë më besnike të leksikut të shqipes në dhjetëvjeçarët e fundit të shek. XIX. Një temë me interes do të ishte studimi përqasës i këtyre fjalorëve.

Fjalëtoret e Mitkos ofrojnë mjaft tema për t’u trajtuar në konferencat e ardhshme të studimeve greko-shqiptare e shqiptaro-greke. Kur them ”fjalëtoret e Mitkos”, kam parasysh edhe dy vëllimet me titull: Fjalor tematik dhe bisedimor italisht-greqisht-shqip, të përgatitura për botim nga koleksionisti i pasionuar dhe dashamir i gjuhës shqipe, z. Shpëtim Sala sipas dorëshkrimit të Mitkos (vëll. I - dorëshkrimi Origjinal, vëll. II - Transliterimi dhe fjalësi shqip; Tiranë, 2013, VIII + 326 p.; 298 f.), të cilit i shprehim gjithashtu përgëzime të çiltra.
 
Vepra që na ka mbledhur sot në këtë sallë të nderuar, na zbulon në mënyrë më të plotë personalitetin e Thimi Mitkos si veprimtar i Rilindjes në fushën shoqërore dhe letrare-filologjike. Por njëkohësisht ajo na zbulon edhe personalitetin shkencor të përgatitësit të saj, kolegut tonë të vyer Dhori Qirjazi si filolog i thelluar në albanistikë e në grecistikë, por edhe në ballkanologji përgjithësisht, si gjurmues i zellshëm i marrëdhënieve kulturore-letrare e gjuhësore shqiptaro-greke dhe vlerësues i qetë e objektiv i ngjarjeve sido që të kenë rrjedhur në kohën e vet.

Do të shënoj në fund aftësinë e tij të spikatur për t’u shprehur thjesht, qartë, rrjedhshëm dhe në një mënyrë që të bën ta ndjekësh me vëmendje deri në fund atë që ka shkruar. Duke e vështruar paraqitjen e kësaj vepre sot në kuadrin e dhe të Konferencës II Ndërkombëtare të Studimeve Greko-Shqiptare e Shqiptaro-Greke, mund të thuhet se botimi i fjalorit të Mitkos përbën një arritje madhore e të shënueshme të bashkëpunimit ndërmjet forcave shkencore të të dy vendeve dhe një nxitje për t’i pritur konferencat e ardhshme me arritje të reja të tilla.
thimi mitko































Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 29 Mars 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet në Himarë/ Në dy qendra votimi në fshatin Kuç nuk ka nisur ende votimi! Në një QV u bë afishimi i listave sot

Zgjedhjet në Himarë/ Në dy qendra votimi në fshatin Kuç nuk ka nisur ende votimi! Në një QV u bë afishimi i listave sot