TIRANË- Autoritetet pritet të nisin një aksion për lirimin e hapësirave publike. Por para se IMT e efektivët të nisin të zbresin në terren në mesin e muajit korrik, kryeministri Edi Rama kishte një ultimatum të qartë për të gjitha zaptuesit e hapësirave publike, duke theksuar se do të mbarojë koha e 'tokës së xanum'. Teksa dha detaje për takimet me deputetët në Vlorë e Tiranë, të cilat do të vijojnë edhe në Durrës e qarqet e tjera, kryeministri Rama tha se zaptuesit kanë 2 javë kohë që të heqin trarët nëpër hapësirat publike që i përdorin për parkime, apo tendat e lokaleve, duke theksuar se bllokojnë frymëmarrjen e qytetarëve.

“Është bërë e papranueshme dhe e padurueshme për shumë njerëz, për shumë lagje në qytetet e mëdha ushtrimi i forcës, ushtrimi i vullnetit abuziv, edhe patjetër, edhe sy mbyllja e strukturave përkatëse, siç për shembull, është krejtësisht evidente dhe e pajustifikueshme në Vlorë”, tha Rama.

Fokusin e vendos sidomos tek pallatet, për të cilat thotë se ndërtuesit kanë vazhduar të trajtojnë pronën përreth si pronë private, duke vendosur tarë dhe duke u marrë para qytetarëve në mënyrë abuzive për parkim.

“Ndërtuesit e pallateve, që pasi kanë ndërtuar pallatet dhe bashkë me ta dhe ata që kanë lokalet në këto pallate, kanë vazhduar të trajtojnë pronën përreth si pronë private, ndërkohë që ajo nuk është pronë private. Ajo nuk mund të jetë pronë private, ajo është po aq pronë private sa ç'është gjithë shkalla e pallatit, apo sa ç'janë ashensorët e pallateve që i përkasin minimalisht të gjithë atij komuniteti banorësh në atë pallat. Dhe askush nuk ka mbi tokën rreth pallatit dhe mbi hapësirën mes pallateve më shumë të drejta se sa secili prej atyre banorëve dhe secila prej atyre familjeve që janë në ato pallate.

Kështu që ju bëj thirrje të gjithë atyre që zotërojnë të tilla asete që nga trarët që vendosin për t'u marrë lekë për parkim banorëve në mënyrën më abuzive dhe më skandaloze, duke pretenduar që është prona e tyre private, nuk ka pronë private në sa kohë ajo është një pronë e cila ka derivuar nga zhvillimi i ndërtesave rreth e rrotull dhe nuk ka pronë private sa kohë që ajo është një hapësirë ku nuk ka leje për të bërë një aktivitet të caktuar, duke filluar që nga parkimi. Nuk mundet dot të vendosë një tra në qytet me pretendimin se është prona jote dhe ti të marrësh lekë për të lejuar banorët aty apo cilido qoftë tjetër që qasen në atë territor për një arsye vizite, a çfarëdo qoftë, që të paguajnë për të qenë zotër të vendit të vet”, tha Rama.

Thirrjen e ka edhe për pronarët e lokaleve, që kanë vendosur tenda në hapësirat publike e madje, thotë kreu i qeverisë, i kanë rrethuar edhe me mushama ku pihet duhan. Në rast se nuk do të ketë ndërgjegjësim, kryeministri thotë se zaptuesit do përballen jo vetëm me gjoba, por edhe me ndjekje penale për krim mjedisor dhe për zaptim dhe shkatërrim të pronës publike.

“U bëj thirrje të gjithëve që të fillojnë t'i heqin vetë këto trarë dhe këto pengesa. U bëj thirrje të gjithë atyre që janë hapur me tenda dhe pastaj i kanë vënë edhe ato mushamatë dhe pas i përdorin edhe për t’i rihapur rrugë pirjes së duhanit nëpër lokale, që të fillojnë t'i çmontojnë vetë, sepse jo vetëm që do t'iu çmontohen, por do të përballen pastaj me gjoba dhe do të përballen edhe deri me ndjekje penale për krim mjedisor dhe për zaptim dhe shkatërrim të pronës publike”, theksoi kryeministri.

Deputetët e zgjedhur, por jo vetëm, do të zbresin në terren për të evidentuar me këto problematika dhe për ata që nuk do të ketë reflektim, Rama tha se do të veprohet me forcën e ligjit. “Boll është boll”, theksoi ai duke shtuar se për të gjithë ata që nuk do të mbledhin plaçkat, në dyjavëshin e dytë të korrikut do të ngrenë vendin në hava, pasi nuk do të lejojnë askënd që të përfitojnë në dëm të komunitetit.

“Brenda dy javësh duhet të kemi inventarët e të gjitha zonave në këto qytete. Duhet të kemi inventarët e të gjitha këtyre kleçkave që ia kanë nxirë jetën banorëve në këto qytete që u kanë nxjerrë komuniteteve të moshuarve, prindërve, fëmijëve dhe që i kanë kthyer territore të tëra në ‘’tokë e xanun’’ në mënyrën më të padrejtë, që të bëhemi gati dhe në dy javëshin e dytë të korrikut, do të vazhdojmë pastaj, për të mos u ndalur më me të gjitha forcat e ligjit, me të gjitha inspektoratet, me të gjitha forcat e policive bashkiake dhe policisë shtetit për ta ngritur një herë mirë në hava këtë ‘’shtëpinë’’ tonë të përbashkët, njësoj siç amvisat ngrenë në hava shtëpinë, ku bëjnë atë pastrimin gjeneral të muajit dhe nga ana tjetër u bëj thirrje edhe një here, e përsëris, të gjithë atyre që janë të keqkuptuar, por që fatkeqësisht ia kanë dalë për një kohë jo të vogël që të bëjnë para’ dhe të bëjnë fitime në dëm të komuniteteve, që të fillojnë të mbledhin plaçkat. Fillojnë të mbledhim plaçkat, sepse boll është boll, boll është boll”, theksoi kryeministri.

Kryeministri Edi Rama do nxjerrë në terren deputetët e drejtorët e bashkisë së Tiranës, për të evidentuar në 2 javë problemet e qytetarëve. Të njëjtin mobilizim për të skanuar ankesat e qytetarëve, Rama e paralajmëroi edhe në qytete të tjera.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:14
'Ka pasur nga ata që se prishën gjumin...', Rama u 'tërheq veshin' edhe deputetëve: Zgjohuni një orë e më parë, 83 mandatet s’janë arsye për të fjetur

 

83 mandatet që fitoi më 11 maj, për kryeministrin Edi Rama nuk janë një arsye për të fjetur gjumë. Kritikat i ka drejtpërdrejtë me 83 ligjvënësit e zgjedhur, kur gjatë një komunikimi në Facebook, thotë se 83 mandatet nuk janë një arsye për të fjetur, por për tu zgjuar një orë e më parë. Preferon të mos flasë me emra, por thotë se ka pasur edhe nga ata që fjetën gjumë.  

“Kemi marrë 83 mandate nga ky popull, kemi marrë 19 mandate në Tiranë. Kemi marrë 9 mandate historike në Vlorë, kemi marrë 12 mandate të paarritshme përveçse me një organizim dhe një punë të madhe, po mbi të gjitha, falë një besimi të madh të njerëzve dhe po ashtu kemi marrë 1 mandat më shumë në Shkodër, kemi marrë 2 mandate më shumë në Elbasan dhe të gjitha këto janë detyrime më shumë ndaj atyre njerëzve që na i kanë dhënë dhe nëse disa për fat të keq brenda nesh i shohin 83 mandate si një arsye më shumë për të fjetur gjumë, u them që jo vetëm që e kanë shumë gabim, por duhet të zgjohen një orë e më parë. Sepse ato 83 mandate janë një arsye më shumë për të fjetur dhe më pak se ç'kemi fjetur, kush në fakt nuk ka fjetur, se ka pasur nga ata që kanë fjetur, edhe nuk e kanë prishur gjumin fare për hir të të vërtetës, por kjo është një histori tjetër dhe brenda dy javësh duhet të kemi inventarët e të gjitha zonave në këto qytete. Duhet të kemi inventarët e të gjitha këtyre kleçkave që ia kanë nxirë jetën banorëve në këto qytete që u kanë nxjerrë komuniteteve të moshuarve, prindërve, fëmijëve dhe që i kanë kthyer territore të tëra në ‘’tokë e xanun’’ në mënyrën më të padrejtë, që të bëhemi gati dhe në dy javëshin e dytë të korrikut, do të vazhdojmë pastaj, për të mos u ndalur më me të gjitha forcat e ligjit, me të gjitha inspektoratet, me të gjitha forcat e policive bashkiake dhe policisë shtetit për ta ngritur një herë mirë në hava këtë ‘’shtëpinë’’ tonë të përbashkët, njësoj siç amvisat ngrenë në hava shtëpinë", tha Rama.