Me rastin e Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, Taulant Balla publikoi në rrjetet sociale një fragment nga një film shqiptar, ku trajtohet çështja e përdorimit të gjuhës shqipe në kishën ortodokse. Publikimi solli reagimin e mitropolitit të Korçës, Anastas, i cili, pasi kritikoi qeverinë për shpopullimin e vendit dhe patriotizmin e shfaqur në ditë festash, shkroi: “Nuk i përdhosni dot klerikët orthodhoksë me filma të realizmit socialist, z. Balla”.
Nuk kam ndër mend të mbroj Taulant Ballën. Atij do t’i sugjeroja që, përveç filmave të Kinostudios, të lexonte edhe ndonjë libër për Kongresin e Manastirit. Historia e alfabetit shqip është më e pasur se skenari i një filmi dhe patriotizmi kërkon pak më shumë se publikimi i një fragmenti filmik në Facebook.
Por, si shqiptar ortodoks, nuk mund të pajtohem me këtë qëndrim të mitropolitit. Këtu nuk bëhet fjalë për realizmin socialist, por për historinë e Shqipërisë dhe, njëkohësisht, për historinë e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, për përpjekjet dhe sakrificat e atyre që e themeluan atë.
Çkishërimi i Petro Nini Luarasit nga autoritetet kishtare të Kosturit nuk është krijim i Kinostudios. Mallkimi i shkronjave shqipe nuk është shpikje e skenaristëve komunistë. Vetë Petro Nini Luarasi botoi më 1911 librin e tij “Mallkimi i shkronjave shqipe dhe çpërfolja e shqiptarit”.As vrasja e tij me helmim nuk eshte shpikje e skenaristeve te Kinostudios.
Përndjekja dhe internimi i priftit Stefan Luarasi për veprimtarinë e tij në shërbim të gjuhës shqipe janë ngjarje historike. Vrasja e Papa Kristo Negovanit më 1905, priftit ortodoks që predikonte dhe meshonte në shqip, nuk është as ajo një shpikje e kinematografisë shqiptare.
Në përpjekjet për themelimin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, një numër i madh klerikësh shqiptarë u përballën me çkishërime, mallkime, burgosje, internime dhe vrasje. Papa Kristo Negovani dhe i vëllai, Papa Theodhosi, At Stath Melani dhe Papa Llambro Ballamaçi u vranë nga çetat e armatosura greke.
Fan Noli, Visarion Xhuvani, At Naum Cere, At Vasil Marko, Ikonom Josif Qirici, Papa Pando Sinica, Papa Jani Kosturi, At Kozma Qirjo, At Harallamb Çallëku, At Dhimitër Dhimitruka etj., etj., përmenden ndër klerikët që u përballën me forma të ndryshme përndjekjeje për veprimtarinë e tyre në shërbim të gjuhës shqipe dhe të pavarësisë së kishës shqiptare.
Në këto përndjekje u përfshinë përfaqësues të lartë të hierarkisë kishtare greke, të cilët jo vetëm përdorën çkishërimin dhe mallkimin si mjete ndëshkimi, por bashkëpunuan edhe me autoritetet osmane, duke i denoncuar klerikët shqiptarë si kryengritës.
Refuzimi i ceremonisë së varrimit fetar të Kristaq Dishnicës në Massachusetts, më 1907, për shkak të veprimtarisë së tij atdhetare, ishte një nga ngjarjet që përshpejtuan përpjekjet për krijimin e Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë.
Mesha e Fan Nolit në gjuhën shqipe në Boston më 1908, Kongresi i Beratit më 1922 dhe njohja e autoqefalisë nga Patriarkana e Kostandinopojës më 1937 ishin rezultat i një përpjekjeje të gjatë, që kërkoi shumë sakrifica nga klerikët dhe besimtarët ortodoksë shqiptarë.
Shpallja e autoqefalisë në Kongresin e Beratit dhe njohja e saj e mëvonshme nga Patrikana e Kostandinopojës ishin rezultat i një lufte disadekadëshe dhe i sakrificave të shumta të vetë klerit dhe besimtarëve ortodoksë shqiptarë.
Përmendja e këtyre ngjarjeve nuk është përdhosje e klerit ortodoks. Përkundrazi, është nderim i atyre klerikëve shqiptarë që u përballën edhe me drejtues të lartë të hierarkisë kishtare për të fituar të drejtën që shqiptarët t’i luteshin Zotit në gjuhën e tyre.
Si ortodoks shqiptar, kam vlerësuar dhe vazhdoj të vlerësoj kontributin e jashtëzakonshëm të kryepeshkopit të ndjerë Anastas. Ai jo vetëm ringriti dhe ringjalli Kishën Ortodokse Shqiptare, të shkatërruar nga regjimi komunist, por punoi edhe për forcimin e autoqefalisë së saj, të pavarësisë dhe të institucioneve të saj. Përgatiti një brez të ri klerikësh shqiptarë dhe respektoi përdorimin e gjuhës shqipe në jetën kishtare. Ai vetë, megjithëse ishte grek, mësoi shqipen, e foli atë dhe e përdori në ceremonitë fetare.
Regjimi komunist e përndoqi rëndë klerin dhe shkatërroi institucionet fetare. Por kjo nuk na jep të drejtën të mohojmë padrejtësitë që u bënë ndaj shqiptarëve ortodoksë përpara ardhjes së komunizmit në pushtet. Të dyja janë pjesë e historisë sonë.
Mitropoliti i Korçës, Anastas, ka të drejtë të kritikojë Taulant Ballën dhe qeverinë shqiptare për shpopullimin e vendit. Edhe unë e bashkoj këtu zërin tim me të tijin. Por kjo është një çështje tjetër.
Do të dëshiroja që pikërisht mitropoliti Anastas, me rastin e Ditës së Alfabetit, të kishte kujtuar dhe nderuar ata klerikë ortodoksë shqiptarë që u mallkuan, u çkishëruan, u internuan dhe u vranë për gjuhën shqipe dhe për themelimin e kishës së cilës ai i shërben sot.
Të flasësh për këtë histori nuk do të thotë të fyesh ortodoksinë, Kishën Greke apo popullin grek. Ashtu siç nuk fyen Shqipërinë dhe shqiptarët kur flet për krimet që kreu regjimi komunist ndaj klerit ortodoks.
Si ortodoks shqiptar, shkruaj me respekt respekt për Fan Nolin, që punoi për themelimin e kishës sonë, dhe për kryepeshkopin Anastas, që punoi për ringritjen dhe forcimin e saj. Historia e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare është historia e të dyve dhe e shumë e shumë të tjerëve, e sidomos e atyre që u përndoqën dhe u vranë pa hequr dorë nga besimi te Zoti dhe dashuria për atdheun
-
Pse jam dakord me reagimin e Mitropolitit të Korçës, Imzot Anastasit! Lexova me vëmendje shkrimin e Thoma Gëllçit, me titull “Kjo është histori e Shqipërisë, jo Kinematografi e Realizmit Socialist!”, në përgjigje të reagimit të Mitropolitit të Korçës ndaj Taulant Ballës. Me gjithë respektin për faktet historike që rendit autori, besoj se ai i përgjigjet një teze që Mitropoliti nuk e ka ngritur. Ku e mohoi Mitropoliti çkishërimin e Petro Nini Luarasit? Ku e mohoi vrasjen e Papa Kristo Negovanit? Ku e mohoi përndjekjen e klerikëve shqiptarë apo sakrificat e tyre për themelimin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare? Të kundërshtosh interpretimin komunist të historisë nuk do të thotë të mohosh historinë. Një fakt historik i vërtetë nuk e bën automatikisht të vërtetë të gjithë narrativën ideologjike të ndërtuar mbi të. Kinematografia e realizmit socialist nuk kishte vetëm funksion artistik. Ajo shërbente edhe si instrument i edukimit ideologjik të shoqërisë. Personazhet, dialogët, konfliktet dhe mënyra e paraqitjes së institucioneve fetare duhen parë edhe në këtë kontekst. Pikërisht këtë dallim shoh në reagimin e Mitropolitit dhe pikërisht këtë dallim nuk e trajton sa duhet z. Gëllçi. Ka madje një paradoks në argumentimin e tij. Për të dëshmuar padrejtësitë ndaj shqiptarëve ortodoksë, ai rendit emrat e dhjetëra klerikëve ortodoksë patriotë. Por a nuk është vetë kjo dëshmi se ortodoksia dhe patriotizmi shqiptar nuk kanë qenë në kundërshtim me njëri-tjetrin? Fan Noli, Papa Kristo Negovani, At Stath Melani dhe shumë të tjerë nuk ishin patriotë pavarësisht se ishin klerikë. Ata ishin njëkohësisht klerikë dhe patriotë. Besimi në Zot dhe dashuria për atdheun bashkëjetonin në veprimtarinë e tyre. Prandaj, duhet bërë një dallim i qartë ndërmjet përgjegjësisë historike të përfaqësuesve të caktuar të hierarkisë kishtare greke dhe dinjitetit të klerit ortodoks si institucion. Asnjë padrejtësi historike nuk duhet fshehur. Por asnjë padrejtësi historike nuk duhet përdorur për të justifikuar paragjykime kolektive. Është gjithashtu paradoksale që të nderojmë sakrificat e klerikëve ortodoksë nëpërmjet produkteve kinematografike të një regjimi që përndoqi klerin, shkatërroi institucionet fetare dhe ua mohoi shqiptarëve lirinë e besimit. Si mund ta anashkalojmë këtë kontradiktë? Nëse duam të nderojmë Petro Nini Luarasin, le të lexojmë veprat e tij. Nëse duam të nderojmë Fan Nolin, le të studiojmë trashëgiminë e tij. Nëse duam të kuptojmë historinë e Kishës Ortodokse Shqiptare, le t'u drejtohemi dokumenteve, arkivave dhe studimeve historike por kinostudioja nuk mund të zëvendësojë historiografinë. Per me teper ka edhe një dimension tjetër të reagimit të Mitropolitit, të cilin e konsideroj po aq të rëndësishëm, lidhjen ndërmjet patriotizmit dhe realitetit të sotëm shqiptar. Z. Gëllçi shprehet se pajtohet me shqetësimin e Mitropolitit për shpopullimin e vendit, por shton se kjo është një çështje tjetër por unë nuk e shoh si një çështje tjetër. Çfarë kuptimi ka të kremtojmë sakrificat e atyre që luftuan për gjuhën shqipe, nëse nuk shqetësohemi njëkohësisht për të ardhmen e brezave që do ta flasin atë gjuhë? Çfarë kuptimi ka të kujtojmë me krenari hapjen e shkollave të para shqipe, pa reflektuar për pasojat që ka emigrimi mbi shkollat dhe komunitetet shqiptare? Patriotizmi nuk është vetëm kujtesë historike. Ai është edhe përgjegjësi ndaj së tashmes dhe së ardhmes. Mitropoliti, si çdo qytetar i këtij vendi, ka të drejtë ta ngrejë këtë shqetësim. Ndarja e Kishës nga shteti nuk nënkupton heshtjen e Kishës përballë problemeve të shoqërisë. Në fund të fundit, askush nuk na kërkon të zgjedhim ndërmjet nderimit të Petro Nini Luarasit dhe respektimit të Mitropolitit të Korçës. As ndërmjet Fan Nolit dhe kryepeshkopit të ndjerë Anastas. Historia jonë është mjaftueshëm e pasur për t'i nderuar të gjithë ata që i kanë shërbyer kombit, pa fshehur padrejtësitë dhe pa trashëguar paragjykimet ideologjike të së kaluarës. Për këtë arsye jam dakord me Mitropolitin e Korçës. Jo sepse historia duhet rishkruar për të mbrojtur Kishën, por sepse historia duhet çliruar nga interpretimet që i janë imponuar për qëllime ideologjike. Shqipëria nuk ka nevojë as për amnezi historike, as për nostalgji ideologjike. Ajo ka nevojë për të vërtetën historike, në të gjithë kompleksitetin e saj!
Përgjigju










Komente
Komento