Ndërsa në Shqipëri zëra të ndryshëm nga politika po hedhin idenë për mbylljen, ristrukturimin apo transformimin rrënjësor të transmetuesit publik, në një tjetër vend evropian, Çekinë, institucionet po ndërmarrin hapa konkretë për ta forcuar median publike dhe për t’i garantuar asaj një të ardhme të qëndrueshme dhe të pavarur. Vetëm një ditë më parë, Senati çek miratoi një vendim të rëndësishëm për të rritur taksën që qytetarët paguajnë për shërbimin e televizionit dhe radios publike – një rritje që vjen pas gati dy dekadash pa asnjë ndryshim në nivelin e financimit. Vendimi tashmë pret firmën e Presidentit të Republikës, i cili në takimet e fundit ka shprehur qartë mbështetjen e tij për rëndësinë e medias publike në jetën demokratike të vendit.
Ky hap në dukje teknik është në fakt një shenjë shumë domethënëse e mënyrës se si politika çeke e kupton rolin e transmetuesit publik: si një institucion i domosdoshëm për funksionimin e shoqërisë, për informimin e paanshëm të qytetarëve dhe për mbrojtjen e kulturës dhe vlerave kombëtare. Duke i garantuar një burim të qëndrueshëm dhe të pavarur financimi, autoritetet çeke po sigurojnë që televizioni dhe radio publike të mos varen nga fondet e qeverisë apo nga presionet politike, por të kenë autonominë për të punuar në interes të publikut dhe vetëm të publikut.
Kjo është një qasje që bie fort në kontrast me zhvillimet në Shqipëri. RTSH, transmetuesi publik shqiptar, financohet pjesërisht nga një taksë që u paguhet qytetarëve përmes faturës së energjisë elektrike – një shumë prej vetëm 100 lekësh në muaj, ose më pak se 1 euro. Kjo është taksa më e ulët në të gjithë Evropën, dhe rrjedhimisht, RTSH ka një nga buxhetet më të vogla për frymë në kontinent. Me një financim kaq të kufizuar, është e pamundur që ky institucion të përmbushë siç duhet detyrat e tij si media publike – të ofrojë informacion të verifikuar, programe cilësore, edukim, kulturë, shërbim për komunitetet në të gjithë vendin dhe për diasporën.
Për më tepër, fakti që një pjesë e rëndësishme e buxhetit të RTSH-së vjen nga fondet buxhetore e bën atë më të cenueshëm nga presioni politik. Nëse një transmetues publik nuk ka burime të garantuara të pavarura financimi, ai rrezikon të kthehet në një zgjatim të pushtetit, në vend që të jetë një platformë e hapur për të gjithë qytetarët dhe një gardian i së vërtetës dhe llogaridhënies.
Në këtë kontekst, idetë për mbyllje, zvogëlim apo transformim të RTSH-së nuk duhet të shihen si zgjidhje, por si sinjale alarmi për demokracinë dhe për aksesin që qytetarët kanë në informacion të paanshëm. Zhvillimet në Çeki tregojnë qartë se vendet që e vlerësojnë median publike, nuk e shkurtojnë, nuk e mbyllin dhe nuk e lënë në mëshirë të tregut apo të qeverisë, por e forcojnë atë përmes mekanizmave të qëndrueshëm dhe të pavarur.
Ajo që i nevojitet Shqipërisë nuk është mbyllja e RTSH-së, por një debat serioz dhe i hapur për reformimin dhe forcimin e tij. Duhet të diskutojmë se si ky institucion mund të përmirësohet, të modernizohet, të shkëputet realisht nga ndikimi politik, dhe mbi të gjitha, të financohet denjësisht për të qenë në nivelin që qytetarët shqiptarë meritojnë. Vetëm një media publike e fortë, me staf profesional dhe me pavarësi editoriale të garantuar, mund të jetë një shtyllë e vërtetë e demokracisë, ashtu siç është në shumë vende evropiane. Dhe për ta arritur këtë, hapi i parë është që shteti të mos e dobësojë, por ta mbështesë. Jo me fjalë, por me veprime konkrete. Ashtu siç po bën sot Çekia.
Komente

