Zgjedhjet amerikane të 3 nëntorit 2026, ato që quhen zgjedhjet e mesmandatit, do të përcaktojnë kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit amerikan. Në Dhomën e Përfaqësuesve republikanët kanë një shumicë shumë të ngushtë që sondazhet e japin siguri se do të kalojë në anën e demokratëve, ndërsa në Senat kanë një avantazh më të dukshëm. Megjithatë, sondazhet e muajve të fundit tregojnë se edhe gara për Senatin është bërë shumë më konkurruese.
Në Dhomën e Përfaqësuesve demokratëve u duhen vetëm disa vende shtesë për të marrë shumicën. Republikanët kontrollojnë aktualisht 220 vende, kundrejt 215 të demokratëve. Kjo do të thotë se një ndryshim neto prej vetëm tre mandatesh do të mjaftonte që demokratët të merrnin drejtimin e Dhomës.
Situata në Senat është më e ndërlikuar.
Republikanët kanë 53 senatorë, ndërsa demokratët dhe senatorët e pavarur që votojnë zakonisht me ta kanë 47. Për të marrë kontrollin e Senatit, demokratëve u duhet një fitim neto prej katër vendesh. Kjo do të thotë se ata duhet jo vetëm të fitojnë disa vende që sot mbahen nga republikanët, por edhe të mbrojnë vendet e tyre më të rrezikuara.
Deri në fillim të këtij viti, rruga e demokratëve drejt shumicës në Senat dukej e pamundur. Por gjatë verës rezultatet e sondazheve flasin për një ndryshim të lojës.
Karolina e Veriut është aktualisht një nga mundësitë më të mira për demokratët. Ish-guvernatori Roi Kuper po përballet me republikanin Majkëll Uotli për një vend që sot mbahet nga republikanët. Sondazhet e fundit e kanë nxjerrë Kuper vazhdimisht përpara, në disa raste me diferencë të konsiderueshme. Nëse kjo prirje vazhdon deri në nëntor, Karolina e Veriut do të jetë vendi i parë që kalon nga republikanët te demokratët.
Një tjetër garë shumë e rëndësishme është Ohajo. Demokrati Sherrod Braun, ish-senator i këtij shteti, po sfidon republikanin Xhon Hjusted. Braun ka dalë përpara në disa nga sondazhet e fundit. Kjo është e rëndësishme sepse Ohajo gjatë viteve të fundit ka votuar gjithmonë për republikanët në zgjedhjet presidenciale. Këtë radhë Braun, i cili ka një profil politik të fortë, ka edhe një elektorat personal. Kjo gjë po e bën garën shumë konkurruese.
Në Mein, senatorja republikane Suzan Kollins përballet me demokratin Troi Xhekson. Kollins ka fituar vazhdimisht në këtë shtet që, në zgjedhjet presidenciale, ka votuar për demokratët, kryesisht falë profilit të saj të moderuar. Këtë vit, megjithatë, sondazhet tregojnë një garë pothuajse të barabartë dhe në disa prej tyre Xhekson ka dalë më përpara.
Alaska është një tjetër shtet që po tërheq vëmendjen. Demokratja Meri Peltola po sfidon senatorin republikan Dan Sallivan. Peltola ka treguar më parë se mund të tërheqë votues të pavarur dhe republikanë të moderuar. Disa sondazhe të fundit e kanë nxjerrë përpara Sallivanit, ndërsa të tjera tregojnë një garë shumë të ngushtë. Për këtë arsye Alaska është futur në grupin e shteteve që mund të përcaktojnë shumicën.
Një nga zhvillimet më të pazakonta është gara në Teksas. Demokrati Xhejms Talariko dhe republikani Ken Pakston po zhvillojnë një garë që deri më tani duket barazim. Kjo është interesante për një shtet si Teksasi, ku gjithmonë ka pasur një epërsi të republikanëve. Disa sondazhe kanë nxjerrë Talarikon përpara me një ose dy pikë, ndërsa të tjera Pakstonin me një diferencë të ngjashme. Praktikisht gara është brenda marzhit të gabimit të sondazheve.
Vetë fakti që Teksasi po diskutohet si një shtet konkurrues për Senatin është i rëndësishëm. Për shumë vite republikanët kanë pasur një avantazh të qartë në zgjedhjet në këtë shtet. Nëse demokratët arrijnë të fitojnë Teksasin, rruga e tyre drejt shumicës në Senat bëhet shumë më e lehtë.
Edhe Ajoua është afruar. Republikania Eshli Hinson vazhdon të konsiderohet pak më e favorizuar ndaj demokratit Xhosh Turek, por sondazhet e fundit tregojnë diferenca prej vetëm disa pikësh. Kjo e ka kthyer Ajouan nga një vend relativisht i sigurt republikan në një garë që duhet ndjekur deri në fund.
Nga ana tjetër, demokratët kanë edhe vende që duhet t'i mbrojnë.
Më problematik është Miçigani. Pas primareve demokrate, Abdul El-Sajed po përballet me republikanin Majk Roxhers. Disa sondazhe e kanë nxjerrë Roxhersin përpara, disa të tjera tregojnë barazim ose diferenca më të vogla. Për demokratët, humbja e Miçiganit do ta komplikonte shumë matematikën e Senatit.
Nëse ata fitojnë, për shembull, Karolinën e Veriut, Ohajon, Meinin dhe Alaskën, por humbasin Miçiganin, fitimi neto do të ishte vetëm tre vende. Për shumicën u duhen katër. Në këtë rast do të duhej të fitonin edhe Teksasin, Ajouan ose një tjetër shtet republikan.
Edhe Xhorxhia mbetet një vend që demokratët duhet ta mbrojnë. Senatori Xhon Osof ka dalë përpara republikanit Majk Kollins në sondazhet e fundit, në disa raste me diferencë të ndjeshme. Megjithatë, Xhorxhia mbetet një shtet shumë i ndarë politikisht dhe rezultati mund të varet nga pjesëmarrja e elektoratit.
Matematika e Senatit, pra, mund të përmblidhet relativisht thjesht. Demokratët kanë nevojë për katër vende neto. Objektivat e tyre kryesore janë Karolina e Veriut, Ohajo, Mein, Alaska, Teksas dhe Ajoua. Në të njëjtën kohë duhet të mbrojnë Miçiganin dhe Xhorxhian.
Nëse mbajnë të gjitha vendet që kanë sot, një kombinim si Karolina e Veriut, Ohajo, Mein dhe Alaska do t'u jepte shumicën. Nëse humbasin Miçiganin, do t'u duhej një fitore shtesë, për shembull në Teksas ose Ajoua.
Kjo është arsyeja pse gara e këtij viti është më e hapur nga sa dukej disa muaj më parë. Republikanët vazhdojnë të kenë avantazhin fillestar, sepse mbrojnë një shumicë prej 53 vendesh dhe demokratët kanë nevojë për disa fitore njëkohësisht. Por numri i shteteve konkurruese është rritur.
Në Dhomën e Përfaqësuesve situata është edhe më e thjeshtë: demokratëve u duhen vetëm tre mandate neto. Nëse klima politike kombëtare mbetet e favorshme për opozitën, marrja e Dhomës është një mundësi reale.
Për këtë arsye zgjedhjet e nëntorit mund të prodhojnë tre rezultate të ndryshme. Republikanët mund të ruajnë të dyja dhomat. Demokratët mund të marrin Dhomën e Përfaqësuesve, ndërsa republikanët të mbajnë Senatin. Ose demokratët mund të arrijnë të marrin kontrollin e të dyja dhomave.
Për momentin, varianti i dytë duket më i lehtë për demokratët, sepse rruga drejt shumicës në Dhomën e Përfaqësuesve është më e shkurtër. Senati mbetet më i vështirë. Por sondazhet e gushtit tregojnë se gara është bërë reale dhe se rezultati nuk mund të parashikohet sot.
Në javët e ardhshme vëmendja kryesore do të jetë te Karolina e Veriut, Ohajo, Mein, Miçigan, Alaska dhe Teksas. Janë këto gara që do të përcaktojnë se kush do ta kontrollojë Senatin amerikan dhe ndoshta edhe kongresin pas zgjedhjeve të nëntorit.










Komente
Komento