GJIROKASTËR- Thoma Konomi, 57 vjeç nga Gjirokastra ka ndërruar jetë në Sanatoriumin e Tiranës 10 ditë pasi ishte arrestuar nga Policia Kufitare e Kakavijës për kalim të paligjshëm të kufirit. Vëllai i tij pretendon se ndërruar jetë për shkak të rrahjes nga policët e kufirit.
Referuar njoftimit të policisë, Thoma Konomi është arrestuar më 20 gusht pasi ka hyrë ilegalisht nga Greqia në Shqipëri me një motor kavasaki. Policia thotë se "ka tentuar të largohet me shpejtësi, duke rrezikuar jetën e një punonjësi të kufirit". Tre ditë më pas, ai është lënë nga gjykata me masën e sigurisë detyrim paraqitje.
I vëllai, Adi Konomi pretendon se 57 vjecari ka shkuar në vendlindje në fshatin Zhej të Zagorisë në gjendje të rëndë shëndetësore dhe është shoqëruar nga bashkëfshatarët në spitalin e Gjirokastrës e prej andej në Sanatoriumin e Tiranës, ku dhe ka ndërruar jetë më 31 gusht. Adi Konomi tha në intervistë se do të ndjekë këtë çështje ligjërisht, duke paditur policinë e Gjirokastrës.
"Nga momenti që e kanë kapur këtu policët e kufirit, e kanë qëlluar me shqelm. Në motor ka pasur vetëm plaçkat, e kanë qëlluar pas shpine dhe ka rënë me gjithë motor. Ai nuk është hedhur vetë nga motori, sicc prtendojnë ata se ishte motor i vjetër, mund ta shihni në polici se në çfarë gjendje është motori. E kanë dhunuar, në bazë të dhënave që vëllai kishte thënë tek shtëpia në fshat. Ata dy policë pse e kanë dhunuar në mënyrë të tmerrshme, nëse kishte bërë gabim duhej të dënohej? Kam letrën se e kanë dënuar me 100 mije lek gjobë. E rrahët e gjakosët pse nuk e çuat në spital ta shpëtonit? Ju vëllanë tim nuk e shpëtuat se kishit frike se do dënoheshit? E mbajtën 5 ditë në komisariat dhe kur ishte në gjendje të rëndë e liruan. Policia e ka hedhur si kafshë atje në fshat. Nuk ishte në gjendje të fliste kanë thënë bashkëfshatarët. Ditën e premte e kanë çuar në gjendje të rëndë në spital. E kishin dëmtuar shumë, në bazë të autopsisë vdiq për shkak të çarjes së zorrëve", tha i vëllai.
Report Tv ka siguruar kartelën e vdekjes, në të cilën mjekësia ligjore ka deklaruar se shkak i vdekjes është inflamacioni në zorrë. Aty thuhet se nuk ka të dhëna për hematoma apo plagë të jashtme që mund të kenë sjellë vdekjen.
Viktima, Thoma Konomi është vëllai i Franc Konomit, i cili është vrarë në atentat mafioz në Tiranë në 2010. Franc Konomi ka qenë personazh i botës së krimit, një prej të "fortëve" të Tiranës në vitet 1990-2000.
Thoma Konomi
Franc Konomi
Thoma Konomi, 57 vjeç nga Gjirokastra ka ndërruar jetë në Sanatoriumin e Tiranës 10 ditë pasi ishte arrestuar nga Policia Kufitare e Kakavijës për kalim të paligjshëm të kufirit e për këtë vëllai i tij pretendon se ndërruar jetë për shkak të rrahjes nga policët e kufirit. Report Tv ka siguruar kartelën e vdekjes, në të cilën mjekësia ligjore ka deklaruar se shkak i vdekjes është inflamacioni në zorrë. Aty thuhet se nuk ka të dhëna për hematoma apo plagë të jashtme që mund të kenë sjellë vdekjen.