Një episod i pazakontë shënoi atmosferën para sfidës së Kupës së Botës 2026 mes Anglisë dhe Ganës, teksa mbrojtësi anglez Djed Spence refuzoi t’i shtrëngonte dorën mesfushorit ganez Thomas Partey gjatë ceremonisë tradicionale të përshëndetjes para ndeshjes. Pamjet e publikuara nga tifozët në stadium tregojnë se Spence ishte i vetmi lojtar i Anglisë që shmangu kontaktin me futbollistin ganez.

Ndeshja u zhvillua në Boston, ndërsa Partey u aktivizua si titullar dhe mbante shiritin e zëvendëskapitenit te Gana. Edhe pse transmetimi televiziv nuk e fokusoi drejtpërdrejt momentin, videot e shpërndara në rrjetet sociale treguan Spencen me dorën poshtë ndërsa Partey kalonte pranë tij.

Sipas raportimeve të mediave britanike, Shoqata Angleze e Futbollit (FA) nuk u dha lojtarëve udhëzime specifike për përshëndetjen me Parteyn, duke ua lënë vendimin individual secilit futbollist.

Mesfushori ganez ndodhet në qendër të vëmendjes për shkak të një procesi gjyqësor në Britaninë e Madhe, ku përballet me akuza për përdhunim dhe sulm seksual. Partey i ka mohuar të gjitha akuzat dhe pritet të mbrojë veten në gjykatë.

Kujtojmë se 33-vjeçari mungoi në ndeshjen hapëse të Ganës ndaj Panamasë pasi autoritetet kanadeze i refuzuan hyrjen në vend. Megjithatë, ai u lejua të udhëtonte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe u rikthye në formacion për përballjen ndaj Anglisë.

Djed Spence me numrin 25

Për të lexuar lajme të tjera nga Botërori KLIKONI KËTU.

Për të parë rezultatet e ndeshjeve të Botërorit KLIKONI KËTU.