Gjatë ditës së sotme janë gjobitur 5 lokale pasi thyen aktin normativ duke ushtruar aktivitet me muzikë jashtë orarit të lejuar si dhe zhvilluan dasma. Lokalet e gjobitur ndodhen 2 në Vlorë, një në Sarandë dhe 2 në Durrës, ndërsa gjoba e vendosura ndaj administratorëve të tyre është 1 milion lekë për secilin.
Konkretisht në Vlorë janë gjobitur dy bar-restorante Miramare dhe Kompleksi MarinaBay vazhdonin të ushtronin aktivitet me muzikë pas orës 20:00, në kundërshtim me Aktin Normativ, duke mos respektuar kufizimin e përcaktuar. Edhe lokali Cocktail në Sarandë është gjobitur pikërisht për të njëjtën arsye, pasi kanë lejuar muzikën pas orës 20:00.
Për secilin nga këto subjekte, me administratorë shtetasit G. L., K. N. dhe F. M. është vendosur gjoba 1.000.000 lekë.
Më herët edhe në Durrës u gjobitën administratorët e dy lokaleve me nga 1 milion lekë pasi organizuan dasma pa respektuar distancën mes të ftuarve.
Dy lokale janë gjobitur në Durrës me nga një milion lekë, pasi në kundërshtim me aktin Normativ për masat kundër përhapjes së COVID-it organizuan dasma pa respektuar distancën mes të ftuarve.
"Policia evidentoi në Njësinë Administrative Manzë një lokal që kishte organizuar dasmë në kundërshtim me Aktin Normativ, duke mos respektuar distancën e sigurisë midis personave. Për këtë subjekt me pronar shtetasin R. H., shërbimet e Policisë kanë vendosur masë administrative 1.000.000 lekë.
Gjithashtu, në lagjen nr. 1, Durrës kanë evidentuar një tjetër lokal, me menaxher shtetasin F. K., që organizonte ceremoni martesore në kundërshtim me Aktin Normativ. Edhe për këtë subjekt është vendosur masë administrative 1.000.000 lekë" thotë policia.
Policia apelon të respektohen me rigorozitet protokollet e sigurisë dhe masat kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së Covid-19.