Ekuipazhi i misionit historik Artemis II, i cili kreu një fluturim pranë Hënës, është vlerësuar me medaljen më të lartë hapësinore të SHBA-ve, njoftuan zyrtarët.
Komandanti Reid Wiseman, piloti Victor Glover dhe specialistët e misionit Christina Koch dhe Jeremy Hansen pritet të marrin Medaljen e Nderit të Kongresit për Hapësirën më 28 gusht, bëri të ditur agjencia hapësinore amerikane NASA.
Sipas NASA-s, vetëm 30 astronautë e kanë marrë këtë nderim, mes tyre Neil Armstrong, personi i parë që shkeli në Hënë, dhe John Glenn, i cili ishte i pari që kreu një rrotullim rreth Tokës dhe më pas shërbeu për katër mandate në Senatin e SHBA-ve.
Wiseman, Glover, Koch dhe Hansen u përzgjodhën për medaljen nga Donald Trump, pasi administratori i NASA-s, Jared Isaacman, ua rekomandoi ata presidentit.
Ekuipazhi i Artemis II theu rekordin e Apollo 13 për distancën më të madhe të përshkuar nga Toka gjatë misionit të tyre 10-ditor, i cili filloi më 1 prill. Ata arritën në një distancë prej 406,771 km, ndërsa kaluan mbi sipërfaqen hënore, duke tejkaluar rekordin e vitit 1970. Misioni është pjesë e planeve të SHBA-ve për të zbritur sërish në Hënë dhe, më vonë, për të arritur në Mars.
Për më tepër, Hansen, i cili është nga Kanadaja, u bë shtetasi jo amerikani i parë që udhëtoi drejt Hënës.
“Ky nuk ishte i lehtë,” tha Ëiseman për gazetarët pasi misioni Artemis II përfundoi me sukses dhe kapsula u ul në mënyrë të përsosur në Oqeanin Paqësor. “Para nisjes, të duket sikur është ëndrra më e madhe në Tokë. Por kur je atje, thjesht dëshiron të kthehesh te familjet dhe miqtë e tu. Të jesh njeri është diçka e veçantë dhe të jesh në planetin Tokë është gjithashtu diçka e veçantë.”
Ceremonia e medaljeve për Ëiseman dhe kolegët e tij, e planifikuar në Qendrën Hapësinore Johnson në Hjuston, zhvillohet katër muaj pasi Trump priti ekuipazhin e Artemis II në Shtëpinë e Bardhë. Rasti u shënua pjesërisht nga presidenti, i cili mbushi 80 vjeç në qershor, duke u thënë astronautëve: “Nuk do ta kisha pasur aspak problem ta bëja, fizikisht jam shumë, shumë mirë.”
NASA njoftoi se ceremonia do të fillojë në orën 11:00, ndërsa transmetimi i drejtpërdrejtë i ceremonisë do të jetë i disponueshëm në faqen zyrtare të.
Trump është përpjekur të përkrahë arritjet e ekuipazhit të Artemis II, pavarësisht propozimit të administratës së tij për të shkurtuar buxhetin e NASA-s me 23%, duke përfshirë një ulje prej 46% të fondeve për nismat e shkencës hapësinore, për vitin fiskal 2027 që fillon më 1 tetor. Një nënkomision i Dhomës së Përfaqësuesve për tregtinë, drejtësinë dhe shkencën, i drejtuar nga Partia Republikane e Trumpit, reagoi duke avancuar propozimin e vet për buxhetin e NASA-s, i cili do të ruante projektet shkencore që presidenti kishte synuar t’i eliminonte.
Përveç Armstrong dhe Glenn, Medaljen e Nderit të Kongresit për Hapësirën e kanë marrë edhe astronautët që humbën jetën në zjarrin e Apollo I, si dhe në shpërthimet e anijeve kozmike Challenger dhe Columbia.
Douglas Hurley dhe Robert Behnken ishin astronautët e fundit të përzgjedhur për këtë medalje para ekuipazhit të Artemis II. Në vitin 2020, Hurley dhe Behnken u bënë të parët që u nisën në orbitë me një anije kozmike komerciale, dhe e pranuan medaljen në vitin 2023, gjatë presidencës së Joe Biden./The Guardian









Komente
Komento