Thyhen ndriçuesit, parku i
liqenit zhytet në errësirë

Thyhen ndriçuesit, parku i <br />liqenit zhytet në errësirë
TIRANË - Parku i liqenit artificial të Tiranës nuk është më vetëm një vend ku qytetarët shkojnë për të pushuar, por është kthyer edhe në një vend ideal për ata që duan të praktikojnë se sa nishan kanë. Dhe këtë e bëjnë fare mirë duke e provuar shenjën te ndriçuesit e vendosur përgjatë gjithë rrugicave të këtij parku, të cilët tashmë janë thyer të gjithë.
Të vendosur pak më shumë se një vit më parë, përgjatë gjithë rrugicave të këtij parku të madh të Tiranës, ata që janë të pathyera numërohen me gishtat e dorës.
Madje në disa raste, ata që merren me këtë sport nuk janë kënaqur vetëm duke thyer poçat e ndriçuesve, por i kanë vjedhur krejtësisht ata. Ndërsa nuk mungojnë as rastet, dhe kjo sidomos për koshat e mbeturinave, kanë mbetur vetëm disa shenja të vogla që tregojnë se ata kanë qenë të vendosur aty. "I kanë shitur për skrap", - na thonë qytetarët e shumtë që zgjedhin të mbushin mushkëritë me ajër të pastër te liqeni artificial i Tiranës. Madje nuk kanë munguar as rastet, kur të ardhurit nga periferitë e Tiranës, kanë vjedhur edhe kabujt e ndriçimit apo futeshin me motorsharrë gjatë natës dhe prisnin pemët dekorative, me pretendimin që ishin pemë të rrëzuara.

Agim Bitraku, një ish-mësues matematike, i cili tashmë është në pension na thotë se vjen thuajse çdo ditë në këtë park. Ai na tregon se e ka shtëpinë pas Institutit të Sigurimeve Shoqërore në Rrugën e Durrësit, por vjen këtu prej që kohës kur ka dalë në pension. Ai na thotë se duke qenë një vizitor i përhershëm e vë re se si po shkatërrohet çdo ditë edhe kjo pasuri e vetme e gjelbërt e Tiranës.
"Unë vij thuajse çdo ditë. Dhe ndriçuesit janë në shënjestër të personave keqbërës, do të thosha unë, se ndonjë përfitim ata nuk kanë nga kjo gjë. Tani ditën nuk duken gjë, por të vish natën këtu është e pamundur. Nuk ndizet as edhe një dritë. Është terr i plotë. Sidomos ajo rrugica që është buzë liqenit, është edhe më e dëmtuara. Madje në disa raste kanë vjedhur edhe koshat e mbeturinave, pasi ata janë më të ulët se ndriçuesit", - na shpjegon ai.
Ai na thotë se ndërmarrja e gjelbërimit përpiqet të bëjë punën e saj, po ashtu edhe policia bashkiake, por e kanë të pamundur ta ruajnë gjithë këtë zonë nga keqbërësit. "Këta punëtorët e gjelbërimit i shikojmë çdo ditë, vijnë e pastrojnë vendin. Edhe policia gjithashtu vjen vazhdimisht, por një polic nuk mund ta ruajë gjithë këtë zonë. Pasi janë gjithë këto rrugica që duhen mbajtur nën vëzhgim. Me pak fjalë, edhe bashkia e vetme nuk mund të bëjë gjë, por më shumë presion do ta ruante këtë park nga keqbërësit", - na thotë më tej ai.

Ndërkohë që gjatë gjithë vëzhgimit tonë në parkun e liqenit të Tiranës, i vetmi person që pamë të kujdesej për ruajtjen e kësaj hapësire të gjelbërt, ishte një polic bashkiak, i cili bënte xhiro nëpër rrugicat e shumta të këtij parku të madh të Tiranës.

(aq/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

‘Lonely Planet Italia’: Vizitoni Rivierën Shqiptare, një nga destinacionet magjike të Evropës

‘Lonely Planet Italia’: Vizitoni Rivierën Shqiptare, një nga destinacionet magjike të Evropës