Ka qenë Arlinda Çasusholli drejtoresha e komunikimit ne TIA ajo që ka dalë në reagimin e parë për media nga ku ka thënë se, policia ka qenë në pistë ku ka ndodhur ngjarja dhe se nuk ka reaguar. Sa i takon raportit të policisë, TIA thotë se, ai është i pasaktë.
"Theksojmë, se njoftimi i TIA-s për policinë, është bërë në kohën kur makina bashkë me autorët e krimit ishte ende në vendngjarje. Autoriteteve të hetimit u janë dorëzuar të gjitha dokumentet që provojnë, se ky njoftim është kryer nga Menaxheri i Operimit në Detyrë i TIA-s kundrejt sallës operative të policisë në Rinas. Përveç kësaj, theksojmë se punonjësit e policisë kanë qënë prezent në pistë vetëm pak metra nga ku ndodhi grabitja. Këtë e vlerësojmë si saktësi të domosdoshme informacioni. Për qartësinë e publikut, por edhe të autoriteteve shtetërore të përfshira, dëshirojmë të sjellim në vëmendje se kompania ICTS – është përgjegjëse vetëm për shërbimin e sigurisë aeroportuale, shërbim i cili as nuk e zëvendëson dhe as nuk e zvogëlon detyrën dhe përgjegjësinë e policisë së shtetit. ICTS, si kompani ndërkombëtare për ofrimin e sigurisë në aeroporte, si dhe e çertifikuar prej shumë vitesh në mënyrë të vazhdueshme nga Autoriteti i Aviacionit Civil Shqiptar, nuk ka asnjë të drejtë të ndërhyjë fizikisht. ICTS operon e paarmatosur. E vetmja forcë e armatosur në aeroport është Policia e Shtetit. Për sa i takon ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike në territorin jashtë gardhit rrethues të aeroportit - nga ku ka hyrë makina - kjo është përgjegjësi e plotë dhe e vetme e forcave të policisë së shtetit. Sipas ligjit, Policia e Shtetit duhet të sigurojë patrulla me të gjitha mjetet, përfshirë ato këmbësore,në të gjitha zonat e aeroportit, duke parandaluar çdo incident dhe aktivitet të paligjshëm." tha ajo.
Ajo ka shtuar se, siguria kombëtare është përgjegjësi e të gjithëve dhe jo vetëm e TIA-s e cila e ka të ndaluar me ligj që në raste të tilla të përdorë armët.
“TIA është në dispozicion të autoriteteve për zbardhjen e ngjarjeve dhe zbulimin e autorëve. Siguria kombëtare është e përbashkët e gjithë autoriteteve
Incident i rëndë, shfajësimi është pasojë më e rëndë. Aeroporti është i të gjithëve." tha ajo.
Çausholli ka theksuar se TIA i ka dhënë të gjitha provat e duhura institucioneve që janë duke hetuar çështjen, ndërkohë që i ka kërkuar atyre që të jenë të kujdesshëm në dhënien e informacioneve.
“TIA ka vënë ne dispozicion të gjitha kamerat e sigurisë që hedhin dritë për ngjarjen. Në respekt të hetimeve dhe imazhit të Shqipërisë dhe personave që janë nën hetim, bëjmë thirrje për trajtimin e kujdesshëm të informacioneve” ka thënë ajo.
Duke u ndalur tek raportet e bëra publike nga Autoriteti i Aviacionit Civil, mbi shkeljet e konstatuara, Çusholli shton se ato kanë pasur përgjigjet konkrete, por nga ana tjetër ajo ka kërkuar konfidencialitet.
“Dokumentet e bëra publike kanë pasur përgjigjie përkatëse, u janë dhënë organeve kompetente që po hetojnë. TIA kërkon etikë konfidencialiteti të respektohej nga të gjitha institucioneve.” shtoi ajo.
Çausholli ka theksuar se TIA flet pikërisht tani, pasi po cenohet kompania që është në shërbim të të gjithëve, ndërkohë që shton se grabitja e ndodhur më 30 qershor është një ngjarje e rëndë. Sakaq, TIA siguron pasagjerët dhe partnerët për masat e sigurisë që janë në nivele të kërkuara.
“Po flasim tani, duke vënë re se po cënohet kompania që është në shërbim të të gjithëve. TIA shpreh keqardhje që ka tronditur të gjithë. Fjalët janë të pakta dhe shqetësimi është shumë i madh. TIA siguron pasagjerët dhe partnerët se masat e sigurisë janë në nivelet e kërkuara” ka thënë Çausholli.
Drejtoresha e komunikimit për median në TIA, Arlinda Çausholli në fund të deklaratës nuk ka pranuar që t’u përgjigjet pyetje të gazetarëve, ndërsa nuk ka dhënë shpjegime për masat që janë marrë pas raportit të Autoritetit Civil në 20 Prill dhe se në çfarë gjendje janë kamerat e sigurisë,pasi në raport theksohej se 2/3 nuk ishin funksionale.
(Deklarata e plotë e TIA)