TIII, indeksi i besimit të biznesit shënon
rënie  me 2.7% për të dytin tremujor radhazi

TIII, indeksi i besimit të biznesit shënon<br />rënie  me 2.7% për të dytin tremujor radhazi
Indeksi i besimit të biznesit dhe konsumatorit shënoi rënje për dytin tremujorin radhazi pas përmirësimit të shënuar gjatë vitit 20014. Banka e Shqipërisë publikoi treguesi i ndjesisë ekonomike (TNE), për tremujorin e tretë të 2015,  i cili në rënie me 2.7 pikë nga tremujori i kaluar.
 
Niveli i TNE-së është luhatur rreth mesatares së tij afatgjatë përgjatë vitit 2015. Aktualisht ai qëndron 2 pikë mbi këtë mesatare. Ecuria e treguesit në tremujorin e tretë u ndikua negativisht nga rënia e besimit në sektorët e industrisë e të shërbimeve, si dhe nga rënia e besimit konsumator.
 
Nga ana tjetër, rritja e besimit në sektorët e ndërtimit dhe të tregtisë dha kontribut pozitiv në tremujorin e tretë, por të pamjaftueshëm për të kompensuar rënien e besimit në sektorët e tjerë.
 
Industria me rënie
 
Treguesi i besimit në sektorin e industrisë (TBI) shënoi rënie me 2.5 pikë përqindje në tremujorin e tretë, pas rritjes me 5.4 pikë përqindje një tremujor më parë. Aktualisht, niveli i TBI-së qëndron 4 pikë përqindje mbi mesataren e tij afatgjatë. Rënia e TBI-së në tremujorin e tretë reflektoi vlerësim më të ulët të bizneseve për të tre komponentët përbërës: prodhimin (balanca ra me 1 p.p.), gjendjen financiare (balanca ra me 4 p.p.) dhe gjendjen e inventarëve (balanca u rrit me 2.4 p.p. e cila tregon për grumbullim të inventarëve).
 
Bizneset e industrisë e vlerësojnë të përmirësuar situatën ekonomike në vend për tremujorin e tretë, dhe presin që ajo të përmirësohet më tej në tremujorin e katërt. Balancat përkatëse u rritën me 6.1 dhe 3.6 pikë përqindje. Vlerësimi për gjendjen e përgjithshme të biznesit rezultoi më pak optimist.
 
Balanca për vlerësimin e situatës aktuale ra me 1.5 pikë përqindje, ndërsa pritjet për tremujorin e ardhshëm ranë me 0.7 pikë përqindje. Edhe vlerësimi për kërkesën e brendshme ishte më i ulët se një tremujor më parë; balanca e këtij treguesi ra me 4.6 pikë përqindje. Ndërkohë, bizneset vlerësuan në rritje kërkesën për eksporte. Balanca e këtij treguesi u rrit me 4.1 pikë përqindje. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në industri ra me 2.9 pikë përqindje në krahasim me tremujorin e dytë të vitit. Aktualisht kjo normë shënon vlerën 72.2% dhe është pothuaj në nivelin e mesatares historike të saj.
 
Çmimet e prodhimit janë vlerësuar në rënie gjatë tremujorit të tretë. Balanca e pyetjes mbi kryerjen e investimeve të reja gjatë gjashtëmujorit të kaluar ka shënuar rënie, në krahasim me rezultatet e tremujorit të parë të vitit. Megjithatë, niveli i saj ka qëndruar mbi mesataren afatgjatë gjatë vitit 2015.
 
Ndërtimi, shtohet optimizi
 
Treguesi i besimit në sektorin e ndërtimit (TBN) u rrit me 3.1 pikë përqindjeje në tremujorin e tretë. Niveli i tij aktual është më i lartë se sa mesatarja për periudhën 2008-2015, por ai mbetet poshtë mesatares historike të serisë. Rritja e besimit në ndërtim u ndikua nga vlerësime në rritje për kërkesën dhe prodhimin. Balancat përkatëse u rritën me 4.9 dhe 5.8 pikë përqindje. Komponenti i tretë i TBN-së, gjendja e punësimit, dha kontribut negativ.
 
Bizneset në sektorin e ndërtimit kanë vlerësuar në përmirësim të lehtë si situatën e përgjithshme të ekonomisë në vend, ashtu edhe gjendjen e përgjithshme të biznesit gjatë tremujorit të tretë. Pritjet e bizneseve për këto aspekte në tremujorin e katërt janë më pak optimiste sesa vlerësimi për gjendjen aktuale. Në linjë me rritjen më të lartë të balancës së prodhimit, bizneset raportojnë për akumulim të lehtë të inventarëve në tremujorin e tretë.
 
Gjendja financiare vlerësohet e përmirësuar në tremujorin e tretë, ndërkohë që çmimet e prodhimit vlerësohen në rënie. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në ndërtim vijoi prirjen rritëse të një tremujori më parë, duke u rritur me 2 pikë përqindje në tremujorin e tretë.
 
Aktualisht, kjo normë qëndron në nivelin 62.2%. Pavarësisht zhvillimeve pozitive gjatë dy tremujorëve të fundit, ndërtimi është sektori i vetëm që paraqitet me normë të shfrytëzimit të kapaciteteve nën mesataren e saj afatgjatë. Vlerësimet e bizneseve lidhur me investimet e reja të kryera gjatë gjashtëmujorit të fundit janë përmirësuar. Balanca përkatëse është përmirësuar për të dytin gjashtëmujor radhazi dhe qëndron ndjeshëm mbi mesataren e vet historike.
 
 Sektori i shërbimeve në rënie
 
 Treguesi i besimit në sektorin e shërbimeve (TBSh) shënoi rënie me 2.7 pikë përqindje në tremujorin e tretë të këtij viti. Ecuria e treguesit pasqyroi rënien e tre balancave formuese të tij: të situatës së përgjithshme të biznesit, të kërkesës dhe të gjendjes së vlerësuar financiare. Balanca e kërkesës regjistroi rënien më të theksuar midis komponentëve të TBSh-së.
 
Bizneset që veprojnë në sektorin e shërbimeve vlerësojnë një ecuri më të mirë të punësimit gjatë tremujorit të tretë. Ata rezultuan më optimistë edhe lidhur me situatën e përgjithshme të ekonomisë, tregues i cili vlerësohet lehtësisht më i përmirësuar (+1.1 pikë përqindje). Përsa i takon çmimeve të shërbimeve, bizneset shprehen për rritje të tyre në tremujorin e tretë.
 
Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në sektorin e shërbimeve shënoi vlerën 76.7%, duke qëndruar 0.6 pikë përqindje më lart vlerës së rezultuar në të njëjtin tremujor një vit më parë dhe mesatares historike. Balanca e vlerësimit për kryerjen e investimeve të reja gjatë gjashtë muajve të kaluar ra ndjeshëm, krahasuar me rezultatet e tremujorit të parë të vitit dhe krahasuar me mesataren e vet historike. Pritjet për investime në gjashtë muajt e ardhshëm kanë vijuar prirjen rënëse bazuar në rezultatet e këtij vrojtimi.
 
Tregtia me optimiste
 
Treguesi i besimit në tregti (TBT) përmirësoi tendencën e tij në tremujorin e tretë të vitit, duke shënuar rritje me 5.7 pikë përqindje. Kjo rezultoi nga rritja e balancave të tre komponentëve përbërës të TBT-së: situata e përgjithshme e biznesit, punësimi dhe gjendja e vlerësuar financiare. Kontributin kryesor për ecurinë e TBT-së e dha përmirësimi i situatës së përgjithshme të biznesit në tregti, balancë e cila u rrit me 7.7 pikë përqindje.
 
Balanca e treguesit të kërkesës në tregti shënoi rritje me 7.0 pikë përqindje. Ndërkohë, bizneset u shprehën për rënie të çmimeve të lidhura me aktivitetin tregtar gjatë tremujorit të tretë. Ashtu si edhe në sektorin e shërbimeve, bizneset e përfshira në tregti kanë vlerësuar të përmirësuar ecurinë e përgjithshme të ekonomisë në tremujorin në analizë. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në tregti shënoi rritje me 5.6 pikë përqindje në tremujorin e tretë, duke rezultuar 78.9% nga 73.3% një tremujor më parë. Shfrytëzimi i kapaciteteve në tregti mbetet lehtësisht më lart mesatares historike, por nën normën e shënuar një vit më parë në të njëjtën periudhë. /Marrë nga Monitor/

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord që personat e së njëjtës gjini të martohen ligjërisht?



×

Lajmi i fundit

Rey Manaj shkëlqen edhe pa shënuar, sulmuesi i Kombëtares në formacionin e javës me notën më të lartë

Rey Manaj shkëlqen edhe pa shënuar, sulmuesi i Kombëtares në formacionin e javës me notën më të lartë