TIRANE - Policia e Shtetit në bashkëpunim me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka nisur sot aksionin në të gjithë vendin kundër vjedhësve të energjisë, ku në pranga kanë rënë 21 persona vetën në Tiranë.

Deklarata është bërë sot nga Drejtori i Policisë së Tiranës Ardian Çipa dhe Administratori i OSHEE-së Arben Seferi, të cilët theksuan se aksioni i ndërmarrë, nuk ka pasur si synim abonentët familjarë por vetëm bizneset, që siç nënvizuan, ka në qendër të tij, fitimin.

Sipas Çipës, vetëm gjatë ditës së sotme, në aksionin në kryeqytet kanë rënë në pranga 21 persona, të arrestuar në kushtet e flagrancës për vjedhjen e energjisë elektrike. Në pranga ka rënë edhe një punonjës i OSHEE-së, me detyrë faturist, i arrestuar për shpërdorim detyre.

“Të gjithë komisariatet e policisë kanë qenë në terren. Operacioni u shtri në disa vende, në grupe hetimore duke u koordinuar së bashku me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Gjatë ditës së sotme janë 21 persona të arrestuar në flagrancë duke vjedhur energjinë elektrike. Në pranga ka rënë edhe një punonjës, i OSHEE-së, Ali Malaj,  me detyrë faturist është arrestuar për shpërdorim detyre. Gjatë procedimit në çdo rast janë kryer inspektimet. Po ashtu është bërë sekuestrim i provave materiale. Theksoj se në bashkëpunim do të vazhdojmë në të gjithë vendin.” theksoi drejtori i policisë së kryeqytetit, Çipa.

Ndërsa Administratori i OSHEE-së, Seferi, theksoi se aksioni nuk ka si synim abonentë familjarë, por sipërmarrës. Kjo pasi aksioni në fazën e parë të tij, është përqëndruar vetëm tek bizneset. Në këtë kontekst Seferi theksoi se aksioni do të vazhdojë deri në ndërprerjen e linjës së fundit të jashtëligjshme të energjisë elektrike.

"Gjatë gjithë kësaj periudhe, por dje kishte pikën kulmore, por sot kjo është pragmatizuar në një bashkëpunim. Sot kemi vepruar në bazë të hot-spoteve. Aksioni deri tani ka çuar në kapjen flagrancë të 21 bizneseve. Nuk jemi marrë me popullin por me bizneset që kanë si qëllim vetëm fitimin. Do të vazhdojmë aksionin deri sa lidhja e fundit e vjedhjes së energjisë të jetë shkëputur. Operacioni është i fokusuar tek abonenti familjar por vetëm tek bizneset." nënvizoi Çipa

Në ditën e parë të aksionit kundër vjedhësve të energjisë, edhe Ministri i Energjitikës, Damian Gjiknuri, zbriti në terren, ku inspektoi aksionin në autostradën Tiranë-Durrës, dhe nga ku bëri të ditur se të gjithë abuzuesit do të përballen me masa.

Aksioni është shtrirë në të gjithë vendin, ku ka pasur arrestime, dhe ndërprerje të energjisë të një numri të konsiderueshëm të personave të zbuluar me lidhje të paligjshme energjie elektrike.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)