TIRANE – Ka përfunduar ujësjellësi në zonën e “Kodrës së Priftit” në Tiranë që furnizon me ujë 35 mijë familje, bëri të ditur një komunikatë për shtyp e Bashkisë së kryeqytetit. Ndonëse afati i premtuar ishte data 27 prill, Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve e përfundoi më shpejt punën në terren dhe pritej vetëm ndërgjegjësimi i qytetarëve, për të lidhur kontratat me Ujësjellësin, për furnizimin me ujë. Ky investim prej 50 milionë lekësh do të mundësojë furnizimin me ujë të kësaj zone dhe do të zëvendësojë sistemin e vjetër dhe të amortizuar.

“Ndërhyrje të tilla ne po ndërmarrim anembanë qytetit. Objektivi i Bashkisë është që brenda këtij viti, 95% e banorëve të qytetit të Tiranës të kenë lidhje me rrjetin e ujësjellës-kanalizimeve dhe të furnizohen nga ky rrjet me ujë të pijshëm. Paralelisht me këtë, vëmendja po kështu shkon tek menaxhimi i sistemit të ujësjellës-kanalizimeve, me qëllim që brenda 4 viteve të ardhshme, varësia e qytetarëve nga depozitat të reduktohet ndjeshëm dhe qytetarët të furnizohen tërësisht nga burimet ujore të sistemit të ujësjellës-kanalizimeve të Tiranë”, tha kryebashkiaku Lulzim Basha.

Basha ka tërhequr vëmendjen e qytetarëve, për të mos shpërdoruar ujin e pijshëm, i cili është një ndër faktorët kryesorë të mungesës së tij në kryeqytet. Ai bëri të ditur se brenda pak javësh, do të hapet gara për rikualifikimin urban të “Kodrës së Priftit”, e cila do të mundësojë krahas ujësjellës-kanalizimit, edhe asfaltimin e rrugëve, shtimin e hapësirave të gjelbra dhe ofrimin e modelit të ri të qytetërimit në këtë zonë.

(im/shqiptarja.com)