Lindja e dyshimeve për disa veprime terroriste në Shqipëri, ka detyruar agjentët e antiterrorit pranë Drejtorisë së Policisë së Përgjithshme, të marin në pyetje dy imamë në Tiranë. Ata dyshohen se kanë kryer veprime që nxisin aktet terroriste në Shqipëri dhe se kanë lidhje me persona që janë etiketuar nga shërbimet inteligjente të huaja, si të implikuar në grupe islamike që kanë si tendencë kryerjen e akteve terroriste në vende të ndryshme të Evropës, por dhe jo vetëm. Lajmi për marrjen në pyetje të dy imamëve të Tiranës, bëhet i ditur nga burime pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, të cilët thanë se Lulzim Plluçi dhe një imam tjetër, emri i të cilit nuk bëhet i ditur janë shoqëruar ditën e Dielë në ambjentet e policisë, ku për disa orë me rradhë janë marë në pyetje lidhur me disa veprime e fjalime që ata kanë mbajtur në takimet e organizuara me besimtarë të fesë islame. Pyetjen e tyre nga ana e policisë, e ka konfirmuar dhe kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar Selim Muça, i cili në një prononcim për gazetën “Shqiptarja.com” ka pohuar faktin e pyetjes së dy imamëve, pas dyshimeve që Policia e Shtetit ka për veprime terroriste të tyre në Shqipëri. Nga ana e policisë mësohet se pas marrjes në pyetje dy imamët janë lënë sërisht të lirë, ndërkohë që një grup agjentash të sektorit të antiterrorit mbajnë në vëzhgim të gjitha veprimet që ata bëjnë gjatë ditës.

Dyshimet e policisë
Sipas burimeve pranë policisë dy imamët e pyetur dyshohet se kanë kryer thirrje terroriste dhe takime me persona që mendohet se janë të lidhur me grupe xhihadiste që veprojnë në vende të ndryshme të Evropës. Nga verifikimet e bëra nga ana e agjentëve të antiterrorit është arritur të konstatohet se në disa takime me besimtarë islamikë, dy imamët kanë bërë thirje për nxitjen e dhunës terroriste. Mësohet se këto fjalime që nxisin dhunën, ata i kanë postuar në ëebsite të ndryshme të internetit. Për këto arsye dhe takimet që ata kanë zhvilluar me eksponentë të etiketuar si të implikuar në grupet terroriste, dy imamët janë marë në pyetje për disa orë nga agjentët e policisë. Gjatë dëshmisë së tyre dy imamët s’kanë pranuar asnjë nga pretendimet e agjentëve të policisë, duke hedhur poshtë çdo dyshim për implikimin e tyre në veprime që nxisin aktet terroriste. Ata janë shprehur se takimet dhe fjalimet janë për qëllime fetare dhe aspak, për akte terroriste në Shqipëri.

Precedenti “Kristo”
Në vitin 2009, me një urdhër-arresti të lëshuar nga Prokuroria e Tiranës është arrestuar Artan Kristo ose siç njihet ndryshe me emrin Abdulla Al Albani. Akuza që rëndonte mbi Kriston ishte “Nxitje, thirrje publike dhe propagandë për kryerjen e veprave me qëllim terroriste”. Më pas dosja i kaloi për kopetencë, prokurorisë së Durrësit, ku pas hetimeve të kryera çëshja shkoi në gjykatë, e cila e dënoi Artan Kriston me 5 vjet heqje lirie. Kristo njihet si përfaqësues i fondacionit “Al Haramain”, i konsideruar si ndër financuesit kryesorë të terrorizmit ndërkombëtar.
)Shkrimi u botua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)