TIRANE- Një lokal bastesh sportive është grabitur mbrëmjen e djeshme në rrugën “Irfan Tomini” në Tiranë. Sipas policisë rreth orës 22.50’ të 17 shtatorit, Maringlen Cani në bashkëpunim me dy persona, dyshohet se kanë hyrë në lokalin e lotove sportive “Joy Lloto”, dhe kanë marrë shumën prej 100 mijë lekë.

Seksioni kundër vjedhjeve me dhunë dhe armë në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë ka bërë të mundur arrestimin në flagrancë të Mariglen Isuf Cani, 26 vjeç, banues në Selitë. “Ky shtetas nga hetimet e kryera ka rezultuar të jetë autori i dyshuar i grabitjes me armë të lokalit të basteve sportive Joy Lloto.”- thuhet në njoftimin e policisë të shpërndarë sot në mëngjes. Në momentin e arrestimit 26 vjeçarit iu bllokuan në cilësinë e provës materiale dhe një armë zjarri pistoletë “MAGNUM”, me mulli, si dhe 6 fishekë, të cilat i mbante pa leje.

Nga strukturat e Policisë së Qarkut Tiranë vazhdon puna për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes dhe kapjen e bashkautorëve të tjerë të kësaj ngjarje.Materialet i kanë kaluar për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë nën akuzën e kryerjes së veprës penale të “vjedhjes me armë e kryer në
bashkëpunim”, parashikuar nga nenet 140 e 25 të Kodit Penal. Ndërkohë që policia shpall në kërkim dy bashkëpunëtorët.
(sg/shqiptarja.com)