Në sajë të Konferencës së Komitetit Ushtarak të NATO-s që do të zhvillohet në Shqipëri, presidenti Meta ka takuar kreun e Komitetit Ushtarak të NATO-s, Gjeneral Petr Pavel, ku shprehu besimin se kjo konferencë do të zhvillohet me sukses.
 
Sipas një komunikate për shtyp nga Presidenca, Meta i ka uruar mirëseardhjen dhe ka shprehur mirënjohjen Gjeneralit Pavel për kontributin e tij në organizimin e Konferencës së Komitetit Ushtarak në Shqipëri duke e cilësuar atë si një ngjarje historike për Shqipërinë dhe një aktivitet shumë i rëndësishëm për Aleancën.
 
Meta ka vlerësuar angazhimet e NATO-s në kuadër të sigurisë globale, rolin e saj të pazvendësueshëm për paqen, stabilitetin, zhvillimin e demokracisë dhe prosperitetin në Ballkan. Presidenti Meta e siguroi Gjeneral Pavel për angazhimin e tij në përmbushjen e detyrimeve të vendit tonë ndaj NATO-s, në procesin e modernizimit të Forcave të Armatosura dhe përmirësimin e buxhetit për mbrojtjen, shkruhet në komunikatë.
 
Gjenerali Pavel vlerësoi angazhimin e Shqipërisë në kuadër të Aleancës, vecanërisht pjesëmarrjen e Forcave të saj të Armatosura në misionet e rëndësishme në vende të ndryshme, vijon komunikata për mediat.
 
Gjithashtu në komunikatën e Presidencës shkruhet se, kreu i shtetit, Ilir Meta dhe Gjenerali Pavel ndanë pikëpamjen e njëjtë mbi politikën e “Dyerve të Hapura” për vendet e Ballkanit dhe u dakortësuan se rreziqet dhe sfidat me të cilat përballet siguria globale dhe ajo kolektive kërkojnë marrjen e përgjegjësive nga të gjitha vendet antare të NATO-s.

[gallery]23903[/gallery] 
Redaksia Online
Er.K/Shqiptarja.com