Një sherr banal që duket se ka zanafillën në një konflikt për zhurmën në lokal, ka bërë që Erdi Doçi, të hyjë i armatosur në ambjentet e një lokali dhe të qëllojë disa herë më armë zjarri ndaj disa personave që ishin në gjëndje të dehur. Pikërisht këta persona sipas policisë së Tiranës kishin kishin konsumuar alkool dhe nuk kanë pranuar të dalin nga lokali, në momentin kur i është bërë një kërkesë e tillë. Pas kërkesave të një pas njëshme Shaqir Shtiqi 47-vjeç, i cili njihet në zonën e "Porcelanit" si biznesmen, ka telefonuar nipin e tij shtetasin Erdi Doçi. Ky i fundit teksa ka hyrë në lokal, ka filluar të debatojë me shtetasit, Bledar Haka, Dritan Qello dhe disa persona të tjerë, duke kërkuar nxjerrjen e tyre me forcë nga lokali. Të pranishmit kanë kundërshtuar, dhe se në kushtet e dehjes nga alkooli kanë këmbëngulur se do të qëndrojnë në lokal, madje dhe kanë fyer rëndë nipin e biznesmenit Shaqir Shtiqi. Pikërisht në këtë moment Erdi Doçi, është përplasur fizikisht me personat e dehur dhe ka hapur zjarr me një pistoletë, të cilën e kishte me vete. Situata ka dalë jashtë kontrollit, pasi viktimë e këtij sherri ka mbetur edhe daja i Doçit, shtetasi Shaqir Shtiqi, i cili u plagos me një plumb. Ndërkohë që pas kësaj ngjarje autori i krimit është larguar në drejtim të rrugës së Dajtit.

TE PLAGOSURIT

Sipas burimeve pranë policisë së Tiranës Shaqir Shtisi, pronar i biznesit, njëkohësisht daja i autorit të krimit, ka marrë plagë të rënda në gjymtyrë,ndërkohë që të plagosurit e tjerë, Bledar Haka, 31-vjeç Ervin Daraku, 35-vjeç dhe Dritan Qello, 35-vjeç, ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Për arrestimin e autorit të krimit efektivat e policisë kanë ngritur me shpejtësi disa postoblloqe, por kontrollet e vazhdueshme kanë qenë pa rezultat. Kanë qënë disa nga dëshmitarët në vendin e krimit ata që i kanë dhënë ndihmën e parë të plagosurve duke i transportuar me shpejtësi në drejtim të spitalit "Nënë Tereza", ku dhe kanë marrë ndihmën e parë mjekësore. Efektivat e policisë që kanë shkuar me shpejtësi në vendin e ngjarjes, kanë bërë identifikimin e autorit dhe gjatë ditës së djeshme kanë pasur disa negociata me familjarët e Erdi Doçit, me qëllim vetëdorëzimin e tij së bashku me armën e krimit. Mësohet se negociatata kanë vijuar për gjatë gjithë mesnatës së djeshme, por nuk ka pasur asnjë shënjë, lidhur me vendodhjen e autorit të plagosjes së katër fishtë.

HETIMI I NGJARJES
Për shkak të plagosjes së katër personave dhe ndërtimit të plotë të dinamikës së krimit në vendin e ngjarjes ka mbëritur dhe një përfaqësues i prokurorisë së Tiranës. Në bashkëpunim edhe me efektivët e policisë së kryeqytetit, hetuesit kanë administruar në dosje të gjitha gëzhojat që janë gjendur në vendin e krimit si dhe disa prova të tjera materiale. Për të dhënë sqarime lidhur me këtë ngjarje, në drejtorinë e policisë janë shoqëruar më shumë se 10 persona, të cilët kanë qënë të pranishëm në momentin kur ka ndodhur krimi. Dëshmitarët kanë dhënë shpjegime të hollësishme për hetuesit duke treguar të gjithë skemën e krimit. Nisur nga dëshmitë e personave të pranishëm në vendin e ngjarjes, policia arriti të ndërtojë dhe dinamikën e krimit, duke dalë në përfundimin se daja i autorit, është qëlluar nga nipi teksa ai ka hyrë për të ndarë përplasjen fizike që po ndodhte brenda ambjenteve të lokalit. Aktualisht ndaj 25-vjeçarit Erdi Doçi, është marrë masa e arrestit në burg në mungesë dhe se që prej mbrëmjes së djeshme policia e ka shpallur në kërkim.
(sg/shqiptarja.com)