TIRANË - Rruga e Kosovarëve, siç quhet në popull, e cila lidh “Komunën e Parisit” me parkun e Liqenit Artificial, ka nisur të ndërtohet sot. 86 milionë lekë janë vënë për këtë rrugë me gjatësi 570 m, që do të shërbejnë për sistemin e kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të zeza, ndriçimin rrugor si dhe 140 pemë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka inspektuar sot punimet që po kryhen në këtë rrugë e cila do të ketë përmasat e një bulevardi.

“Bëhet fjalë për një nga rrugët e rëndësishme të qytetit tonë, e cila sot fillon të zhvillohet me parametra faktikisht të një bulevardi, me një gjerësi të rrugës prej 12 metrash, me parkime në të dyja anët dhe me trotuare të gjerë 4 metra, në të dy krahët, pra ndër trotuaret më të gjerë që mund të investohet në një rrugë të parametrave urbanë", - tha Basha.

"Kjo rrugë është një pjesë e rëndësishme e jetës së mbi 10 mijë banorëve të kësaj zone, pasi është arteria e tyre e vetme pedonale, (këmbësore) që i lidh me parkun e Liqenit, ndërkohë që funksionon si arterie lidhëse për mbi 25 mijë banorë të tjerë që jetojnë në këtë zonë dhe që mund të kenë akses në park apo kanë akses në park, duke ecur në këmbë"- shtoi ai.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)