TIRANE - Një tjetër rrugë në kryeqytet, pas më shumë së 10 vitesh, i është nënshtruar rikonstruksionit të plotë të saj. Kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha, tha sot se “ky është një investim i munguar prej dhjetëra vitesh dhe dua të garantoj banorët që sikundër edhe në zona të tjera, në periferi apo në qendër ku nuk është vënë dorë prej shumë kohësh, Bashkia ka një vëmendje të veçantë. Nuk është thjesht një vëmendje në kuptimin platonik të fjalës, por është një vëmendje financiare, buxhetore që po përkthehet në vepra publike".

"Në Tiranën e administratës së drejtuar nga unë, nuk ka “dele të zeza” dhe të “dele të bardha”. Paratë e qytetarëve për buxhetin e Tiranës do të shpenzohen në mënyrë proporcionale, sigurisht me theks të veçantë aty ku nevojat janë më të mëdha dhe më akute, siç është rasti me këtë zonë të vjetër autoktone të Tiranës por të lënë në harresë prej shumë kohësh” – theksoi kreu i Bashkisë së Tiranës.

Burimet zyrtare të bashkisë thanë se me një investim prej 18.5 milionë lekësh, kjo rrugë me gjatësi 400 m, do të ofrojë një tjetër standard për 3 mijë banorët që jetojnë përgjatë saj. Në të dy anët e rrugës do të ndërtohen trotuare për kalimin e këmbësorëve, me gjerësi variabël nga 1 deri në 2.5 metra, do të ndërtohet sistemi i kanalizimeve të ujërave të bardha e të zeza, ndriçim etj. Afati i përfundimit të punimeve është 6 muaj.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)