TIRANE- Rreth 500 taksistë u mblodhën në protestë paraditen e së mërkurës në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” duke i kërkuar Bashkisë së Tiranës që të marrë në konsideratë shqetësimet e tyre.

Rritja e shkallës së informalitetit dhe abuzimi nga taksitë e pa licencuara që operojnë ne treg sipas tyre kanë vështirësuar aktivitetin normal. Kreu i shoqatës së taksive Gëzim Bardhi shprehu vendosmërinë që protestat të vazhdojnë deri në zgjidhjen e këtyre problemeve.

“Rritja e shkallës së informalitetit është paimagjinueshme. Ne i kërkojmë bashkisë të ndryshojë tarifat e taksimetrit dhe të nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit mes sindikatës së taksistëve dhe bashkisë. Në rast se nuk do na plotësojnë kërkesat ky është sinjali i parë që protestat tona do të vazhdojnë pa ndërprerje. “- deklaron Gëzim Bardhi. Protesta e taksistëve të kryeqytetit zgjati për më shumë se 2 orë çka shkaktoi edhe kaos në trafik.
(sg/shqiptarja.com)