Tirana 100 vjet kryeqytet, historiani: Ishte zgjedhje e detyruar, s'ka pas vendim në Kongresin e Lushnjës

Tirana 1 shekull kryeqytet. Por, si u përzgjodh? Çfarë ndodhi me qeverinë e Durrësit asokohe? Po midis krerëve të jugut edhe të veriut, të cilët synonin, që kryeqytet të shpallej Vlora, Durrësi apo Shkodra? Historiani Beqir Meta na rrëfen të pathënat e kësaj ngjarje historike, që sipas tij, nuk është zbardhur si duhet, pasi ende për shpalljen e Tiranës kryeqytet i referohen Kongresit të Lushnjës

“Kryeqyteti i parë i Shqipërisë i përkohshëm ka qenë Vlora, që pas Pavarësisë atje u vendos qeveria. Vlora ka luajt këtë rol deri në mars të vitit 1914, që u vendos regjimi i Princ Vidit. Për këtë ka pas diskutime të mëdha nga fuqitë ndërkombëtare, edhe kandidatë me potencial derisa u vendos Durrësi, por edhe më pas ka qenë Vlora, Shkodra edhe Durrësi. Kjo ka pas të bëjë edhe me pozitën strategjike të Durrësit. Edhe disa qarqe diplomatike mendonin që të vendosej Shkodra, por kjo gjë u kundërshtua nga Austro-Hungaria”.

Historiani shton më tej se Durrësi u rikonfirmua si kryeqytet edhe në vitin 1918, me mbledhjen e Kongresit të Durrësit edhe me vendosjen e qeverisë së Durrësit, që doli nga ky kongres.

“Kjo zgjati deri në Kongresin të Lushnjës, ku një nga vendimet që mori ishte rrëzimi i kësaj qeverie, që pas saj fshiheshin italianët. Në 13 janar ka qenë marrëveshja e fundit midis Anglisë, Francës dhe Anglisë, që vinte në zbatim Traktatin e Londrës për pushtimin e Shqipërisë.  Në fakt nuk ka pas vendim as në Kongresin e Lushnjës, se thuhet që është marrë vendim atje. Kongresi krijoi qeverinë e parë që do të zëvendësonte qeverinë e Durrësit. Por qeveria e Durrësit e refuzoi këtë edhe me mbështetjen e italianëve organizoi forca për t’iu kundërpërgjigjur. Ka qenë një moment kritik, edhe me rrezik për luftë civile, por që u shmang me mençuri. Duke qenë se qeveria e Durrësit nuk pranoi të jap dorëheqjen, qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjës, vendosi që të vendoset në Tiranë, derisa të merrte edhe njohjen ndërkombëtare. Kishte shumë gjëra të panjohura, por që kjo qeveri ka qenë vullnet-plotë për ta arritur këtë”.

Qeveria u vendos në Tiranë 11 shkurt, kjo sipas Metës, ishte një zgjedhje e detyruar.

“Tirana nuk ka qenë ndër kandidaturat për kryeqytet, Elbasani, Durrësi, Shkodra, ka qenë shumë më i lakuar, por jo Tirana, pasi ka qenë e prapambetur edhe pa infrastrukturë. Ka qenë kryeqytet provizor, jo i vendosur me kushtetutë. Ekzistoi një kohë dypushteti me qeverinë e Durrësit deri në fund të marsit 1920. Por, rreziqet nuk do të kishin të mbaruar edhe pas kësaj”.

Marrëveshja e 2 gushtit për largimin e italianëve nga Vlora në vitin 1920 ishte një sfidë e madhe, por sfida nuk mbaronte as këtu për stabilizimin e shtetit edhe as për Tiranën kryeqytet.

“As pas largimit të italianëve nga Vlora në 2 gusht të vitit 1920, sfida që Tirana të shpallej kryeqytet me status të plotë nuk kishte marrë fund. Nuk janë shuar vendimet e ndryshme për kryeqytetin. Sfida më e madhe do të vinte nga politikanët shkodranë, që ishin shumë konsistent, që kryeqytet duhet që të ishte Shkodra. Kjo sigurisht që binte ndesh me vizionin politik të një pjese të politikanëve të tjerë shqiptarë”.

Meta, vijon të thotë se kishte një ballafaqim në prapaskenë edhe ballëpërballë për kryeqytetin, ku sërisht diskutohet për emrin e Vlorës, klasa politike e Shqipërisë ishte e përçarë, edhe iu desh një kohë e gjatë që të vendosnin për kryeqytetin.

“Revolucioni i Qershorit, ose kryengritja e Qershorit, ishte premtimi themelor që i bën popullsisë ishte që Shkodra të bëhej kryeqytet. Edhe Noli kur erdhi në pushtet pati një konflikt të ashpër deri në grushte shteti apo përplasje me armë midis krerëve politikanë jugor edhe atyre verior. Përfundimisht, fati i Tiranës si kryeqytet vendoset me dështimin e qeverisë së Nolit edhe ardhjen e Zogut në Pushtet, por edhe me hartimin e statutit të republikës së parë shqiptare”, përfundon Meta.

Tirana u shpall kryeqytet i Shqipërisë zyrtarisht në vitin 1925 nga Asambleja Kushtetuese.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Lapardhaja: Berisha rrënoi PD, opozita s'fiton në zgjedhje! Deputetët demokratë 'luftë' për karrige të sigurt në Kuvend

Lapardhaja: Berisha rrënoi PD, opozita s'fiton në zgjedhje! Deputetët demokratë 'luftë' për karrige të sigurt në Kuvend