Tirana, çmimi më i madh në garën për zgjedhjet vendore

Tirana, çmimi më i madh në garën për zgjedhjet vendore

Sheshi 'Skënderbej'

Me gati 700 mijë votues të regjistruar dhe me mbi 200 milionë euro buxhet vjetor, Bashkia e Tiranës është çmimi më i madh për palët politike, vendi ku shpenzohen më shumë para dhe ku luhen makinacionet më të pista për të fituar. Me gjashtë kandidatë për kryetar dhe mbi një mijë kandidatë për anëtarë të këshillit bashkiak, rezultati i Tiranës shikohet si përcaktues për zgjedhjet parlamentare vijuese, ndonëse, në të shkuarën, situata ka qenë ndryshe.

Maj 2011. Lëvizja Socialiste për Integrim ishte në aleancë me Partinë Demokratike. Kjo nuk e ndaloi një prej këshilltareve të saj në një prej minibashkitë e Tiranës, të deklarohej përfaqësuese e Partisë Komuniste. Një veprim i tillë si pa lidhje, i hapi rrugë Hysni Milloshit, kryetar i Partisë Komuniste të Shqipërisë, të garojë për kryetar të bashkisë Tiranë. Milloshi fitoi ato zgjedhje 1398 vota, ose 0.56% të votave totale të hedhura në Tiranë atë ditë. Supozohet se këto vota i përkisnin fanatikëve të paktë të mbetur të komunizmit, të cilët, normalisht do të kishin votuar për Edi Ramën. Rezultati, Rama humbi zyrtarisht me një diferencë prej vetëm 93 votash dhe pas disa dramave dhe manovrave të pazakonta ligjore, përballë kandidatit demokrat, Lulzim Basha.

Bashkia e sotme e Tiranës numëron gati 700 mijë votues. Gati një në çdo pesë votues në Shqipëri gjendet në listat e votuesve të Tiranës ndërsa numri i votuesve këtu është më i madh se sa i tre bashkive të tjera më të mëdha, Durrësi, Elbasani dhe Shkodra, të marra sëbashku.

Zgjedhjet e shkuara parlamentare dhe për pushtet vendor tregojnë gjithashtu se kryeqyteti është një zonë ku pjesëmarrja në votime është krahasimisht më e lartë se sa në pjesën tjetër të vendit. Në vitin 2021, pjesëmarrja këtu ishte 56%, nga 46% që ishte mesatarja e vendit.

Bashkia e Tiranës shtrihet në 1110 kilometra katrorë dhe përbëhet nga 25 njësi administrative. Njëmëbdhjetë janë nga lagjet e qytetit ndërsa 14 të tjera janë ish-komunat: Petrela, Farka, Dajti, Zall-Bastari, Bërzhita, Krraba, Baldushku, Shëngjergji, Vaqarri, Kashari, Peza, Ndroqi dhe Zall Herri. Zyrtarisht bashkia numëron 135 fshatra, të shtrira në një territor kompleks, nga zona fushore dhe kodrinore në Perëndim, në zonën malore dhe shumë malore në Lindje dhe në Jug.

Aktualisht gjashtë kandidatë garojnë për të marrë vota majtas, djathtas, qendër dhe të papërcaktuar, në një garë që vë përballë kryebashkiakun aktual Erion Veliaj, i Partisë Socialiste, i cili është në kërkim të një  mandati të tretë, dhe Belind Këllicin, kandidat i koalicionit Bashkë Fitojmë, i cili kërkon mandatin e parë dhe postin e parë të mirëfilltë politik, gjë që mund ta ngrejë atë në nivelin e figurave kryesore politike, pavarësisht nëse fiton apo humbet në zgjedhjet e kësaj të diele.

Arlind Qori, një profesor i filozofisë, garon në zgjedhje në emër të partisë Lëvizja Bashkë, një parti e sapokrijuar dhe që garon për herë të parë në zgjedhje me një platformë të politikës së majtë. Ndonëse Qori ka pak gjasa të bëhet kryetar bashkie, garimi i tij përbën një sfidë për politikën historikisht të korruptuar të qytetit, të mbështetur më së shumti te makinacionet, blerja e medias me leje ndërtimi dhe ngritje në pushtet përmes shitjes së hapësirave publike. Por se sa prej banorëve të Tiranës do të jenë të gatshëm të votojnë këtë lloj politike përkundrejt politikës së zakonshme të korruptuar por konkrete të të majtës dhe të djathtës, kjo pritet të mësohet vetëm pas rezultatit të zgjedhjeve.

Marko Dajti është një kandidat tjetër nga e majta që garon në emër të një partie të quajtur Fronti i Majtë. Supozohet se Dajti, njësoj si Milloshi në vitin 2011, do të mund të mobilizojë votat e më nostalgjikëve mes nostalgjikëve të regjimit komunist. Rezultati i tij zgjedhor mund të shërbejë gjithashtu si një matës indirekt i numrit të enveristëve të mbetur gjallë. Ashtu si ndodhi një dekadë më parë me Milloshin, Dajti garon me firmë të një deputeti të PD-së, Flamur Noka. Firma të tilla janë të nevojshme për shkak se kodi zgjedhor sugjeron se partitë që kanë deputetë në kuvend, kanë të drejtë të garojnë automatikisht ndërsa partitë që nuk kanë deputetë, kanë nevojë për firma mbështetëse.

Roland Bejko, një pedagog dhe kryetar historik i Partisë Demokratike në Gjirokastër, garon këto zgjedhje në Tiranë si kandidat i Partisë Demokratike. Votat që mund të marrë Bejko supozohet se do të gërryejnë shansin e Këlliçit për t’u bërë kryetar, por fakti është që në zgjedhjet e shkuara, opozita e djathtë ka humbur në Tiranë me diferenca të tilla që pak vota nuk bëjnë diferencë.

Lajla Përnaska, një ish-deputete e Partisë Demokratike, garon në emër të Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet. Si një tiranase e vjetër, ajo supozohet gjithashtu se do të gërryejë nga votat që mund të rrisnin shanset e Këlliçit për fitore.

Zgjedhjet në të gjithë Shqipërinë janë bërë në përgjithësi duopoliste. Databaza e kandidatëve të publikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, tregon se për 61 bashkitë e vendit garojnë 144 kandidatë për kryetarë. Në 43 bashki ka vetëm dy kandidatë, të Partisë Socialiste dhe të Bashkë Fitojmë. Në trembëdhjetë bashki ka tre kandidatë dhe vetëm pesë bashki, më shumë se sa tre. Për rrjedhojë, Tirana mban rekord me gjashtë kandidatë.

Shtatëmbëdhjetë parti garojnë për 61 postet e anëtarit të Këshillit Bashkiak të Tiranës me 1057 kandidatë. Nëse pjesëmarrja do të jetë në të njëjtat nivele me vitin 2021, do të duhen mbi 6 mijë vota për të zgjedhur një anëtar të këshillit. Partitë garojnë me lista të mbyllura. Kjo do të thotë se nëse partia x merr 6 mijë vota për këshilltar, i pari në listën e saj, hyn në këshill bashkiak ndërsa dhjetëra të tjerët më poshtë në listë, jo. Emrat e kandidatëve dhe renditjen e tyre nuk do ta gjeni në fletën e votimit dhe vështirë se mund ta gjeni gjëkundi përveçse në faqen e KQZ-së ose në ndonjë reklamë, nëse rastisni ndonjë të tillë ose në rast se partia ka marrë mundimin ta bëjë një të tillë. Ajo që vihet re është se 13 nga 17 partitë garuese kanë një kandidat mashkull të parin në listë ndërsa katër, kanë një kandidate.

Partia Socialiste ka pasur avantazh në zgjedhjet e shkuara sipas ndarjes aktuale administrative dhe territoriale të Tiranës. Në zgjedhjet e vitit 2007, kandidatët socialistë në bashkinë e qytetit dhe në ish-komunat morën 52% të votave ndërsa demokratët, 44%. Në zgjedhjet e vitit 2011, rezultati ishte 50 me 48%, ku në Tiranë dolën thuajse barazim ndërsa në ish-komunat, fitoi PS. Kandidatët e PD-së ranë në 38% të votave në vitin 2015, por socialistët nuk u rritën shumë, ata morën 52% të votave. Diferenca prej 9% u morën nga kandidatët e tjerë, të cilët në shumicë përfaqësonin një votë proteste, apo u dogjën nga qytetarët si vota të pavlefshme.

Në zgjedhjet e vitit 2021, në Tiranë u hodh një numër rekord prej 380 mijë votash. Partia Socialiste mori 183 mijë vota ose 48.3%. Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim morën sëbashku 42% të votave ndërsa plot 9% u morën nga partitë e vogla. Nga të vegjëlit, Partia Socialdemokrate e Tom Doshit, e cila është haptazi në mbështetje të socialistëve, mori 2.5% të votave. Mes partive të tjera të vogla, Nisma Thurrje mori gati 1% ndërsa kandidati i pavarur Brojken Abazi 0.9%. Nuk duhet të harrojmë një “parti” tjetër të vogël, por që duket se është më e madhja mes të voglave. Në zgjedhjet e vitit 2021, mbi 13 mijë banorë të Tiranës hodhën një votë të pavlefshme. Nuk është e mundur të dihet se sa prej tyre e bënë qëllimisht dhe sa, pa dashje. Por këto përbëjnë 3.5% të të gjitha votave të hedhura dhe si të tilla, kanë peshë.

Tirana është gjithashtu një bashki ku makineria elektorale socialiste duket se pati shumë rol në zgjedhjet e vitit 2021. Një emër ra në sy më shumë se sa gjithkush tjetër dhe ky ishte emri i Ornaldo Rakipit, djalit 27 vjeçar të Aqif Rakipit, një ish-deputet i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës nën akuzën se përmes strukturave të krimit të organizuar, ka blerë vota dhe ka trafikuar interesa në qarqet Elbasan dhe Tiranë. Rakipi mori në territorin e Bashkisë Tiranë mbi 7 mijë vota pëlqyese, ose 3.9% të të gjitha votave të marra nga Partia Socialiste. Shpallja “non grata” e të atit të deputetit nuk e ka ndalur Partinë Socialiste që të shijojë mbështetjen e tij dhe aktualisht, Ornaldo Rakipi është parë duke bërë fushatë për PS-në në Bashkinë e Vorës. Por se sa rol do të kenë makinacionet e kësaj natyre në zgjedhjet e së dielës, kjo nuk është e lehtë për t’u vlerësuar.

Bashkia e Tiranës është një institucion që ka mbi 6500 të punësuar. Ajo kontrollon tregun e ndërtimit të kryeqytetit, i cili është më i pasuri në vend, treg nga ku rrjedh një pjesë e konsiderueshme e pushtetit real të kryebashkiakut të radhës mbi tregun mediatik të vendit.

Tirana është jo vetëm kryeqyteti politik i Shqipërisë por edhe kryeqyteti de facto i ekonomisë. Shumica e industrisë gjendet përgjatë autostradës Tiranë – Durrës apo në pjesë të tjera të kryeqytetit dhe po kështu, edhe qendrat tregtare apo aktivitetet e dëfrimit./Reporter

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit