Tirana Zyrtare ka dënuar sulmet terroriste në aeroportin e Stambollit "Ataturk", të cilët i morën jetën 48 personave. Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, Ministria e Jashtme e Shqipërisë, dënon me forcën më të madhe shpërthimet terroriste që goditën sërish Turqinë.
 
“Shprehim ngushëllimet më të ndjera për familjarët e viktimave dhe Qeverinë turke, si dhe solidaritet me Turqinë mike dhe vendosmëri për të qenë së bashku në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizimit të dhunshëm”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme Shqiptare.
 
Gjithashtu MPJ informon shtetasit shqiptarë se shërbimi konsullor i kësaj ministrie ka vënë në dispozicion adresën elektronike [email protected] dhe numrat e telefonit +355699826678 dhe 08000022 për të asistuar të gjithë ata shtetas, të afërmit e të cilëve ndodhen në Stamboll. ​
 
Nga sulmi në Stamboll mbetën të vdekur 41 persona dhe u plagosën mbi 239 të tjerë.
 
Ndërkohë, menjëherë pas sulmeve terroriste në aeroportin e Stambollit, Policia Shqiptare rriti masat e sigurisë në aeroportin e vetëm ndërkombëtar të Shqipërisë, atë "Nënë Tereza". Prej mbrëmjes së djeshme, në Rinas ka prezencë të shtuar të Policisë. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com