Media britanike Metro ka botuar një artikull për videon e postuar në TikTok të një bande shqiptare duke bastisur një shtëpi bari.
“Postimi shqetësues tregon burra të maskuar që përdorin skanerë infra të kuq në rrugë të zakonshme periferike për të lokalizuar nxehtësinë nga llambat e rritjes së kanabisit. Pasi gjejnë një objektiv, ata hyjnë brenda. Ata pozojnë për kamerën me një këngë ‘trap’ në sfond, ndërsa në përshkrim shkruhet “f*** you”, teksa banda duket se po grabit shtëpinë”, shkruan artikulli.
Më pas, kamera drejtohet nga një burrë me pamje të hutuar e të frikësuar, pantallona të shkurtra dhe bluzë që duket se jeton ose punon në shtëpi. Kamera fokusohet te hajdutët që në duar mbajnë bimë kanabisi.
“Shtëpitë e barit” janë të pajisura me ndriçim dhe ngrohje të teknologjisë së lartë për të ndihmuar rritjen e bimëve, në një aktivitet që mund të jetë shumë fitimprurës, shkruan Metro duke thënë se videoja duket se tregon jetesën e tyre si kriminelë.
Prona, e cila duket si një shtëpi e zakonshme periferike, nuk mund të identifikohet. Videoja besohet se është filmuar në West Yorkshire, sipas gjurmëve online të përdoruesit që e publikoi.
Pamje të tjera të postuara në të njëjtin llogari TikTok tregojnë një anëtar të maskuar të “bandës” duke u ngjitur në anën e një shtëpie dhe më pas duke hyrë nga një dritare e hapur.
Një tjetër video tregon sesi banda fshihet dhe vëzhgon një shtëpi kultivimi. Disa nga pamjet kanë simbolin e flamurit shqiptar dhe shoqërohen me slogane në gjuhën shqipe, thuhet në artikull duke shtuar se këngët përmbajnë tekste dhune, por në pamje nuk shfaqen armë.
Më tej, artikulli ndahet te një tjetër bandë në lindje të Londrës.
Në Barking, një bandë shqiptare e armatosur rëndë e quajtur Hellbanianz filmoi veten me armë, para, ora Rolex dhe duke drejtuar makina Ferrari, shkruan Metro. Ata kontrollojnë zonën Gascoigne ku jetojnë “ushtarët” e tyre. Postimet e tyre të hapura në internet çuan policinë tek ata dhe janë dënuar disa anëtarë.
Media britanike gjithashtu ka zbuluar një rrjet kriminal që operon në Southgate, në veri të Londrës, ku trafikimi i njerëzve dhe marrëveshjet e drogës sjellin shuma të mëdha parash.
Një bandë shqiptare me qendër operimi rreth stacionit Southgate ka një kontroll “si me darë” mbi zonën, sipas burimeve lokale të sigurisë.
Prania e tyre është aq e madhe sa zona përreth stacionit njihet nga vendasit si “Tirana e vogël”, shkruan artikulli, duke cituar një burim:
“E quajmë Tirana e vogël këtu. Bandat shqiptare kanë kontroll mbi komunitetin dhe ka shumë frikë për t’u eliminuar [vrarë]. Ata kanë marrë nën kontroll disa biznese dhe kanë kërcënuar të tjerë. Ka lidhje me trafikimin e njerëzve, zhvatjen për mbrojtje dhe shitjen e drogës. Është territori i tyre dhe fshihen në sy të të gjithëve. E dimë kush janë dhe nga operojnë. Është raportuar në polici dhe ata duhet të marrin masa”, thotë ai.
Ndërsa përmend raste të tjera, Metro shkruan se Agjencia Kombëtare e Krimit përdor emrin “Shqiptare” për të përshkruar grupet kriminale shqiptare.
Ata shesin sasi të mëdha kokaine të kontrabanduara në Mbretërinë e Bashkuar përmes Amerikës Latine. Besohet se kontrollojnë shumicën e tregut të kokainës, i vlerësuar rreth 5 miliardë paund. Ata blejnë deri në 5,000 paund për kilogram sipas vlerësimeve të policisë dhe filluan të shesin me fitime më të ulëta se rivalët për të marrë kontrollin e tregut.
Furnizimi me kokainë dhe droga të tjera në shkallë industriale u ka siguruar grupeve kriminale shqiptare fonde për të “blerë” pothuajse komunitete të tëra, përfundon artikulli.
Komente











