TIRANË- Në një kohë që i gjithë vendi është ende nën masa shtrënguese sa i takon lëvizjes së automjeteve dhe këmbësorëve për shkak të situatës së Covid19, panorama që të ofrojnë sot rrugët e kryeqytetit i ngjasojnë një dite të zakonshme.

Rrugë të mbushura me qytetarë dhe numër i lartë automjetesh që shpesh herë krijojnë dhe trafik është ajo që të servir sot kryeqyteti. Nga vëzhgimi i kryer nga Report TV vihet re se edhe rregulli i kryeministrit Rama për mënyrën e lëvizjes me automjete me jo më shumë se dy persona ende nuk ka gjetur zbatim.

Ndërkohë për policinë kjo mënyrë qarkullimi me makinë nuk përbën shkelje me efektivët të cilët vijojnë kontrollet e tyre rutinë vetëm për autorizimet e lëvizjes.

Ndërsa Report TV mëson se vetëm në 24 orët e fundit në të gjithë vendin janë ndëshkuar 44 shoferë me pezullim leje drejtimi dhe bllokim automjeti si dhe 1 qytetar që u gjobit me 700 mijë lekë pasi theu rregullin e vetkarantinimit.

Pavarësisht se me lëvizje të kontrolluara nga ana e policisë nuk munguan as aksidentet. Kështu në muajin mars edhe pse nën masa shtrënguese për kufizim të lëvizjes u shënuan 10 viktima nga 65 aksidente. Kjo shifër është rreth 50% më e vogël se ajo që raportohej në marsin e një viti më parë, por tepër e lartë për situatën në të cilën është regjistruar.