TIRANË, 21 shkurt/ATSH-Z.Tosku/- Shumëkush e di që rinia shqiptare është një potencial, i cili duhet shfrytëzuar për një të ardhme më të mirë të vendit.
Sikurse Papa Françesku tha gjatë vizitës së tij të parë në Shqipëri se "ky është një popull i ri dhe ku ka rini, ka shpresë".
Por, të rinjtë, të cilët përbëjnë pothuajse gjysmën e popullsisë së sotme urbane, mendojnë se nuk ndihen të stimuluar që të tregojnë protagonizmin e tyre në procesin e ndërtimit të shoqërisë dhe jetës në qytet.
Vezuela Sanxhaku, një e re e ardhur prej vitesh në Tiranë, gjykon se rinia duhet të stimulohet për krijimin e vizionit të vet komunitar. "Për këtë, pushteti vendor duhet të ketë politika mbështetëse ndaj nesh. Konkretisht, Bashkia e Tiranës duhet të na krijojë besimin në motivimin ndaj vizionit komunitar", mendon ajo.
Me profesion sociologe, diplomuar vitin e kaluar pas përfundimit te studimeve Master Shkencor, ajo thotë se bashkëmoshataret e saj që i përkasin kësaj grupmoshe, kanë nevojë për akses në punësim dhe të jenë pjesëmarrës aktivë në shoqëri.
Autoritetet lokale dhe rajonale, duke qënë afër të rinjve, luajnë një rol shumë të rëndësishëm në promovimin e protagonizmit të tyre. Është motivuese që të rinjtë të kenë mundësi të tregojnë individualitetin e tyre në ndërtimin e një shoqërie.
Vezuela pohon se nuk ka eksperiencë personale si pjesëmarrës apo të ketë qënë përfitues i politikave publike të pushtetit vendor dhe nuk ndihet pjesë e hartimit të këtyre politikave.
Por, ajo vlerëson se "aktualisht politikat e punësimit të studentëve, të rinjve, janë të pakta duke qënë se shumica e të rinjve janë të papunë". Ajo mendon se pushteti vendor duhet të jetë më pranë të rinjve, të marrë përgjegjësi për të qenë një qendër informacioni për punësimin e tyre.
Duke argumentuar mendimin e saj se mbështetja e të rinjve ka nevojë për politika konkrete, Vezuela nënvizon se "rritja e protagonizmit të rinisë së Tiranës në shoqëri, ka nevojë për një nxitje të besimit dhe të sensit të komunitetit".
Me keqardhje ajo tregon se përgjithësisht të rinjtë e sotëm e kalojnë kohën duke frekuentuar kafenetë dhe sipas Vezuelës, "duket sikur Tirana të jetë orientale, e mbushur me klube dhe kafene". Dhe kjo, sipas saj, vjen si pasojë e mungesës se punës për të rinjtë. "Nëse do punonin nuk do rrinin në kafe", thotë ajo.
"Të rinjtë rendin në mënyrë kaotike, sepse nuk kanë një mënyrë për t'i shërbyer vetes dhe jetës së qytetit në çdo aspekt", gjykon Vezuela. Për të, Tirana është një qytet ku secili prej të rinjve mund të bëjë diçka dhe të merret me asgjë.
Si banuese tanimë prej vitesh në Tiranë, ajo dëshiron ta shohë kryeqytetin si vendin e mundësive për të rinjtë e saj.
Për të diçka ka lëvizur, por ka ende shumë punë për të bërë, pasi ndotja e ambjentit, mungesa e gjelbërimit, trafiku stresues, mungesa e parkingut, ambienteve sportive, janë ndër problematikat kryesore të qytetit.
Pavarësisht këtij përshkrimi, Vezuela thotë se ka ardhur koha që të mendohet dhe të punohet për ndryshimin e Tiranës. "Dëshiroj që të marr dhe të jap për Tiranën... si një dualizëm jetik ku qytetari bën qytetin, po aq sa ç'bën qyteti per qytetarin". /a.ke/







